
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj artikullit të medias greke Protothema, e cila interpretoi si ironi dhe ofendim batutat e shkëmbyera një ditë më parë në Abu Dhabi me moderatorin grek John Defterios, gjatë një paneli në Samitin e Zhvillimit të Qëndrueshëm.
Rama e cilësoi median greke si nacionaliste dhe akuzoi se po i shërben “ndonjë politikani të lodhur” në Athinë, duke shtuar se artikulli deformon plotësisht kontekstin humoristik të bisedës.
“Jam i mahnitur nga reagimi i disa mediave në Athinë e i ndonjë politikani të lodhur grek lidhur me tonet e mia aspak tendencioze, por me humor miqësor gjatë bashkëbisedimit me gazetarin e nderuar John Defterios,” shkroi Rama, duke theksuar se situata është nxjerrë nga konteksti.
Sipas tij, është e pabesueshme që një fjali e thënë me humor të shndërrohet në polemikë publike të ngarkuar me patos nacionalist, një fenomen që, sipas kryeministrit, ndodh shpesh në mediat greke.
Rama theksoi se batutat e tij nuk synonin aspak të ofendonin Greqinë dhe se ai vetë ka respekt të thellë për historinë, kulturën dhe kontributin e saj në qytetërimin evropian.
“Nuk kam as më të voglin dyshim që Platoni dhe Aristoteli janë filozofë grekë dhe që Greqia e Lashtë është shtrati i qytetërimit europian,” shkroi ai, duke shtuar se admirimi për kulturën greke mbetet i pakontestueshëm.
Megjithatë, Rama nënvizoi se nacionalizmi mediatik nuk mund të legjitimojë reagime të ekzagjeruara.
“Mos më kërkojë askush që kush shkruan e flet greqisht me pathosin nacionalist të të larpërmendurve, të më duket si pasardhës i Platonit dhe Aristotelit,” shprehet ai duke lënë të kuptohet se debati është fryrë artificialisht nga mediat greke.
Postimi i plotë i Ramës:
“Jam i mahnitur nga reagimi i disa mediave në Athinë e i ndonjë politikani të lodhur grek lidhur me tonet e mia aspak tendencioze, po me humor miqësor gjatë bashkëbisedimit me gazetarin e nderuar John Defterios në panelin e organizuar gjatë Samitit të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dhabi!
Është e pabesueshme që një fjali e thënë me humor, të shkëputet totalisht nga konteksti e të kthehet në polemikë publike me pathos nacionalist, gjë që fatkeqësisht në Athinën mediatike ndodh shpesh!
Por i siguroj të gjithë të shqetësuarit e të lënduarit, se nuk kam as më të voglin dyshim që Platoni dhe Aristoteli janë filozofë grekë dhe që Greqia e Lashtë është shtrati i qytetërimit europian; që kultura greke meriton vetëm admirim, jo vetëm për filozofët e lashtësisë po edhe për poetët, shkrimtarët, kineastët e muzikën që i ka dhënë njerëzimit; që Greqia është një vend për të cilin unë ushqej ndjenjat më pozitive, që populli grek është për mua një fqinj i pazëvendësueshëm e vëlla i patjetërsueshëm i popullit shqiptar dhe që për kryeministrin e Greqisë ushqej një respekt të veçantë!
U kuptuam? Shpresoj po.
Por ama mos më kërkojë askush ndër të shqetësuarit dhe të lënduarit me humorin tim, që kush shkruan e flet greqisht me pathosin nacionalist të të larpërmendurve, të më duket si pasardhës i Platonit dhe Aristotelit!
Kaq”