Vendosni fjalën kyçe....

Marina britanike teston me sukses helikopterin e ri pa pilot


Marina Mbretërore e Britanisë njoftoi të premten se helikopteri i saj i parë autonom në përmasa të plota, i projektuar për të gjurmuar nëndetëset dhe për të kryer operacione të tjera me rrezik të lartë mes tensioneve në rritje në Atlantikun e Veriut, ka kryer fluturimin e parë provë.

Që prej pushtimit të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022, sektori europian i mbrojtjes është transformuar ndjeshëm, teksa qeveritë kanë rritur shpenzimet ushtarake dhe planifikojnë zgjerimin e kapaciteteve të tyre.

Interesi i Shteteve të Bashkuara për të marrë kontrollin e Groenlandës lidhet, pjesërisht, me synimin për të zgjeruar aftësinë e tyre për të monitoruar ujërat e përdorura nga anijet dhe nëndetëset ruse, përfshirë aktivitetin në korridorin detar midis Groenlandës, Islandës dhe Britanisë.

Rusia, nga ana tjetër, thotë se pretendimet për kërcënime ruse apo kineze ndaj Groenlandës janë “mit”.

Marina britanike tha se helikopteri i ri, i quajtur Proteus, përfundoi me sukses një test të shkurtër fluturimi, sipas Reuters.

I zhvilluar në kuadër të një programi prej 60 milionë paundësh (80.46 milionë dollarë), Proteus konsiderohet një komponent kyç për mbrojtjen e Britanisë dhe aleatëve të NATO-s ndaj “kërcënimeve në evolucion” në Atlantikun e Veriut.

I projektuar dhe ndërtuar nga kompania e mbrojtjes dhe hapësirës ajrore Leonardo, helikopteri mbështetet në sensorë dhe sisteme kompjuterike të fuqizuara nga software që i mundëson të interpretojë mjedisin dhe të marrë vendime në mënyrë autonome, sipas njoftimit të marinës.

Proteus është projektuar për luftë kundër-nëndetëse, patrullime detare dhe gjurmim të mjeteve nënujore.

Proteus përfaqëson një hap të madh përpara në mënyrën se si aviacioni detar mund të sigurojë qëndrueshmëri, përshtatshmëri dhe shtrirje – duke kryer misionet e mërzitshme, të vështira dhe të rrezikshme në mjedise sfiduese, pa rrezikuar jetën e operatorëve njerëzorë,” tha Nigel Colman, drejtor menaxhues i Leonardo Helicopters në Mbretërinë e Bashkuar.

Marina britanike tashmë operon disa dronë, përfshirë një helikopter të vogël vëzhgimi, por Proteus është më i madh dhe dukshëm më i avancuar.