Vendosni fjalën kyçe....

Këto qytete europiane rrezikojnë të mos presin më Lojërat Olimpike Dimërore për shkak të ndryshimeve klimatike



Ndryshimet klimatike po vënë seriozisht në pikëpyetje të ardhmen e Lojërave Olimpike Dimërore, duke reduktuar ndjeshëm numrin e vendeve që mund t’i presin ato në dekadat e ardhshme. Ekspertët paralajmërojnë se ngrohja globale, dimrat gjithnjë e më të shkurtër dhe mungesa e borës së qëndrueshme po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë organizimin e garave dimërore në shumë zona tradicionale, përcjell Euronews.

Sipas një studimi të përdorur nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC), nga 93 vende malore që aktualisht kanë infrastrukturën e nevojshme për sporte dimërore elitare, vetëm 52 pritet të jenë klimatikisht të përshtatshme për Olimpiadën Dimërore në vitet 2050. Ky numër mund të bjerë në rreth 30 deri në vitet 2080, nëse emetimet globale të karbonit nuk reduktohen ndjeshëm.

Qytete dhe zona historike të Olimpiadave, si Grenoble dhe Chamonix në Francë, Garmisch-Partenkirchen në Gjermani apo Soçi në Rusi, vlerësohen se nuk do të jenë më “të besueshme nga ana klimatike”, ndërsa vende si Oslo, Vancouver dhe Sarajevo konsiderohen me rrezik të lartë. Situata paraqitet edhe më problematike për Lojërat Paralimpike Dimërore, të cilat zhvillohen disa javë pas Olimpiadës, në një periudhë gjithnjë e më të ngrohtë.

Si zgjidhje afatshkurtër, organizatorët po mbështeten gjithnjë e më shumë te prodhimi artificial i borës. Për Lojërat Milano–Cortina, parashikohet prodhimi i rreth 2.4 milionë metra kub borë artificiale, duke përdorur sasi të mëdha uji dhe energjie. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se kjo zgjidhje ka kufizime, pasi kërkon temperatura të ulëta, konsum të lartë burimesh dhe mund të përkeqësojë problemet mjedisore, sidomos në rajonet me mungesë uji.

IOC po shqyrton gjithashtu mundësinë e rotacionit të Lojërave Dimërore mes një grupi të kufizuar vendesh të përshtatshme dhe zhvendosjen e tyre më herët në sezon, për t’iu përshtatur kushteve klimatike. Synimi, sipas drejtuesve të IOC, është mbrojtja afatgjatë e sporteve dimërore dhe reduktimi i ndikimit mjedisor të ngjarjeve të mëdha sportive.

Lojërat Dimërore të vitit 2030 do të zhvillohen në Alpet Franceze, ndërsa ato të vitit 2034 në Salt Lake City, SHBA. Për vitin 2038, IOC po zhvillon bisedime me Zvicrën, e cila vlerësohet për infrastrukturën ekzistuese dhe standardet e larta mjedisore.