Vendosni fjalën kyçe....

Nis transferimi i të dënuarve me rrezikshmëri të lartë drejt burgut të Fierit



Pas arratisjes së të dënuarit Altin Ndoci mesditën e djeshme nga spitali i burgut, autoritetet kanë nisur transferimin e personave me rrezikshmëri të lartë nga Drejtoria e Burgjeve drejt burgut të Fierit.

Burgu i Durrësit nuk klasifikohet si institucion me siguri të lartë, ndaj është vlerësuar e domosdoshme që të dënuarit me rrezikshmëri të shtuar të mos qëndrojnë më aty. Transferimi përfshin vetëm këtë kategori dhe jo zyrtarët e arrestuar.

Altin Ndoci u arratis nga spitali i burgut, ku ishte dërguar për trajtim mjekësor pas ankesave për dhimbje në veshka. Edhe pse kanë kaluar mbi 24 orë nga arratisja e tij, Ndoci ende nuk është lokalizuar, pavarësisht kontrolleve intensive dhe ngritjes së postoblloqeve në disa zona.

Në lidhje me ngjarjen, tetë persona janë arrestuar: kryeinfermieri Aulon Çuko, zëvendësshefi i policisë Desdemon Pazaj, efektivët Dorjan Saraçi, Sal Ferollari, Preng Marvataj, Fatjon Baçi dhe Aranit Çela, si dhe shtetasja Violeta Uka.

Fatjon Baçi ndodhet gjithashtu nën hetim nga SPAK, pasi njihet si polici që i dorëzoi një telefon kryebashkiakut të Tiranës, Erjon Veliaj, gjatë transportimit të tij nga paraburgimi i Durrësit drejt Apelit të GJKKO-së, ku do të njihej me masën e sigurisë.