
Shtetet e Bashkuara po tërheqin një pjesë të personelit nga bazat në Lindjen e Mesme, tha një zyrtar amerikan të mërkurën, pasi një zyrtar i lartë iranian tha se Teherani kishte paralajmëruar fqinjët se do të godiste bazat amerikane nëse Uashingtoni sulmon.
Ndërsa udhëheqja e Iranit po përpiqet të shuajë trazirat më të këqija të brendshme me të cilat është përballur ndonjëherë Republika Islamike , Teherani po kërkon të pengojë kërcënimet e përsëritura të Presidentit të SHBA-së Donald Trump për të ndërhyrë në emër të protestuesve antiqeveritarë, shkruan Reuters.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mblidhet për Iranin të enjten me kërkesë të Shteteve të Bashkuara.
Një zyrtar amerikan, duke folur në kushte anonimiteti, tha se Shtetet e Bashkuara po tërhiqnin një pjesë të personelit nga bazat kryesore në rajon si një masë paraprake, duke pasur parasysh tensionet e larta rajonale.
“Të gjitha sinjalet tregojnë se një sulm i SHBA-së është i afërt, por kjo është edhe mënyra se si sillet kjo administratë për t’i mbajtur të gjithë në gatishmëri. Paparashikueshmëria është pjesë e strategjisë”, tha një zyrtar ushtarak perëndimor për Reuters më vonë të mërkurën.
Megjithatë, në Shtëpinë e Bardhë, Trump sugjeroi se po mbante një qëndrim “prit dhe shiko” ndaj krizës.
Trump u tha gazetarëve se i është thënë se vrasjet në shtypjen e protestave nga qeveria iraniane po pakësohen dhe se ai beson se aktualisht nuk ka ndonjë plan për ekzekutime në shkallë të gjerë.
I pyetur se kush i tha se vrasjet kishin ndaluar, Trump i përshkroi ata si “burime shumë të rëndësishme nga pala tjetër”.
Presidenti nuk e përjashtoi një veprim të mundshëm ushtarak të SHBA-së, duke thënë “ne do të vëzhgojmë se cili është procesi” përpara se të vinte në dukje se administrata e tij kishte marrë një “deklaratë shumë të mirë” nga Irani.