
Irani mbylli për disa orë hapësirën ajrore për fluturimet komerciale pa dhënë shpjegime, në një moment kur tensionet me Shtetet e Bashkuara mbeten të larta për shkak të goditjes së përgjakshme ndaj protestave mbarëkombëtare, përcjell AP News.
Mbyllja zgjati mbi katër orë gjatë orëve të para të së enjtes, sipas udhëzimeve të lëshuara për pilotët. Si pasojë, disa linja ajrore ndërkombëtare devijuan fluturimet duke shmangur hapësirën ajrore iraniane, e cila është një korridor kyç lindje-perëndim. Pas një zgjatjeje të afatit, kufizimi u hoq dhe pas orës 07:00 u raportuan fluturime të brendshme në ajër.
Nuk ka pasur shenja të menjëhershme të përplasjeve ushtarake, megjithatë situata shkaktoi shqetësim në industrinë globale të aviacionit. Sipas faqes SafeAirspace, shumë kompani ajrore kanë reduktuar ose pezulluar shërbimet dhe po shmangin Iranin për shkak të rrezikut të mundshëm nga aktivitetet ushtarake apo sistemet e mbrojtjes ajrore.
Mbyllja e hapësirës ajrore ndodhi ndërkohë që autoritetet iraniane përballen me protesta masive dhe kritika të forta ndërkombëtare. Aktivistët e të drejtave të njeriut raportojnë se mbi 2,600 persona kanë humbur jetën nga ndërhyrjet e forcave të sigurisë. Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka lënë të paqarta hapat e ardhshëm të SHBA-së, duke deklaruar se po vlerësohen opsione të ndryshme.
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi ka bërë thirrje për zgjidhje diplomatike, duke theksuar se diplomacia është një rrugë më e mirë se përshkallëzimi ushtarak.