
Fermerët grekë kanë rifilluar protestat, duke shkaktuar bllokime në akset rrugore që lidhin Shqipërinë me Greqinë. Policia Kufitare e Kakavijës njofton se ditën e sotme, nga ora 12:30 me orën greke, aksi Kakavijë–Janinë, në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, do të jetë i bllokuar për shkak të protestës së fermerëve.
Sipas njoftimit, gjatë bllokimit do të lejohet qarkullimi vetëm i automjeteve me emergjenca shëndetësore. Autoritetet shqiptare u bëjnë thirrje qytetarëve që planifikojnë udhëtimet drejt Greqisë të marrin parasysh vonesat dhe të përdorin orare të tjera të ditës për të shmangur pritjet e gjata në kufi.
Bllokimi i aksit Kakavijë–Janinë është pjesë e një serie protestash që fermerët grekë kanë zhvilluar në të gjithë vendin, duke kërkuar masa për përballimin e krizës në bujqësi dhe mbrojtjen e të ardhurave të tyre. Këto protesta, që shpesh shoqërohen me bllokime rrugore, ndikojnë edhe në trafikun ndërkombëtar, duke paralizuar lëvizjen e mallrave dhe udhëtarëve mes dy vendeve.