
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka akuzuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama për korrupsion të përhapur, kapje të shtetit dhe bashkëpunim me krimin e organizuar, duke deklaruar se Shqipëria po shndërrohet në një vend të pasigurt për qytetarët.
Në një deklaratë publike nga Kryesia e Kuvendit, Balliu tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian kanë ndërmarrë masa kufizuese ndaj Shqipërisë, duke i lidhur ato me skandale të rënda korrupsioni dhe keqpërdorimi të fondeve publike. Ai iu referua veçanërisht situatës në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ku pretendon se është ngritur një sistem i lidhur me krimin e organizuar, që sipas tij ka çuar në vendimin e Bashkimit Europian për të pezulluar fondet për dixhitalizimin.
Balliu shtoi se për shkak të korrupsionit, vjedhjeve sistematike dhe bashkëpunimit të qeverisë me kartelet e drogës, e ardhmja e qytetarëve shqiptarë është e kërcënuar, ndërsa integrimi i vendit në Bashkimin Europian po pengohet. Ai u bëri thirrje qytetarëve që më 24 janar të mobilizohen për të mbrojtur të ardhmen e Shqipërisë nga korrupsioni dhe aktivitetet kriminale të qeverisë.