
Disa ditë pas dekretimit nga Presidenti Bajram Begaj, në Fletoren Zyrtare janë publikuar ligjet e paketës fiskale, përfshirë edhe ligjin “Për Marrëveshjen e Paqes Fiskale, “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore dhe e detyrimeve të pagueshme në doganë” etj.
Të 7 ligjet e paketës fiskale do të hyjnë në fuqi 15 ditë pas botimit.
Ligji “Për Marrëveshjen e Paqes Fiskale” hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet deri në vitin tatimor 2028.
Ligji ngarkon ministrin përgjegjës për financat të miratojë, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e tij, aktet nënligjore në zbatim të neneve 10, pika 3, dhe 11, pika 4, të këtij ligji.
Ndërsa drejtori i përgjithshëm i Tatimeve ngarkohet të miratojë, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, udhëzimin në zbatim të pikës 1, të nenit 11 të këtij ligji, pra për procedurat e aplikimit të bizneseve në e-Filing të marrëveshjes.
Edhe ligji “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore dhe e detyrimeve të pagueshme në doganë”, hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Brenda 15 ditëve nga hyja në fuqi e këtij ligji ministri përgjegjës për financat nxjerr udhëzim për zbatimin e tij.
Ky ligj i shtrin efektet nga data 1 janar 2026 deri në datën 31.12.2026. Teksa ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, njësitë e qeverisjes vendore dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij ligji.
Ligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar që përcakton kompensimin 10% të TVSh për fermerët, hyn në fuqi 15 ditë pas botimit.
Në Fletoren Zyrtare u botua edhe ligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
Edhe ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit.
Ndryshimet përfshijnë zbatimin e disa nismave të rëndësishme, si zvogëlimi i përdorimit të parasë në dorë në transaksionet ndërmjet bizneseve, duke ulur kufirin e lejuar për pagesat me para në dorë nga 150,000 lekë në 100, 000 lekë. Në kuadër të politikave për reduktimin e përdorimit të parasë në dorë dhe nxitjen e pagesave elektronike, gjithashtu u miratua vendosja e detyrimit për pajisjen me terminal “POS” në pikat e shitjes të tatimpaguesve që kryejnë veprimtari ekonomike me pagesa në para në dorë, sipas afateve të parashikuara në ligj.
Në Fletoren Zyrtare u botuan edhe ligjet “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 29/2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar”; Për disa shtesa dhe ndryshim në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, i ndryshuar; Për disa ndryshime në ligjin nr. 87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i ndryshuar.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor