Vendosni fjalën kyçe....

Tajlandë, vinçi bie mbi trenin me shpejtësi të lartë, dhjetëra të vdekur dhe të plagosur



Një vinç ndërtimi ka rënë mbi një tren me shpejtësi të lartë në verilindje të kryeqytetit të Tajlandës, Bangkok, duke shkaktuar daljen e tij nga shinat dhe një bilanc të rëndë viktimash. Sipas policisë lokale, të paktën 22 persona kanë humbur jetën dhe rreth 80 të tjerë janë plagosur, ndërsa autoritetet bëjnë me dije se ende ka trupa që nuk janë nxjerrë nga rrënojat, përcjell DW.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në distriktin Sikhio, në provincën Nakhon Ratchasima, rreth 230 kilometra në verilindje të Bangkokut. Treni po udhëtonte nga Bangkoku drejt verilindjes së vendit në momentin e aksidentit.

Ministri i Transportit, Phiphat Ratchakitprakarn, deklaroi se në bord ndodheshin 195 persona dhe se ka urdhëruar nisjen e një hetimi të plotë për zbardhjen e shkaqeve të incidentit. Departamenti i Marrëdhënieve me Publikun i qeverisë tajlandeze publikoi në rrjetet sociale pamje nga vendngjarja, ku shihet treni i dalë nga shinat.

Sipas autoriteteve lokale, vinçi po përdorej për ndërtimin e një linje hekurudhore me shpejtësi të lartë dhe u shemb rreth orës 09:00 me orën lokale (02:00 GMT).
“Një vinç u shemb mbi tren, duke shkaktuar daljen nga shinat dhe përfshirjen e tij nga flakët”, njoftoi Departamenti i Marrëdhënieve me Publikun i Nakhon Ratchasima, duke shtuar se zjarri është vënë nën kontroll.

Pamjet e transmetuara nga mediat lokale tregojnë punonjës të emergjencës që vrapojnë drejt vendit të ngjarjes, ndërsa treni, me ngjyra të ndezura, shihet i përmbysur anash, me tym që ngrihet nga rrënojat.

Një banor i zonës tha se kishte dëgjuar një zhurmë të fortë, e ndjekur nga dy shpërthime.
“Kur shkova të shihja çfarë kishte ndodhur, pashë vinçin mbi një tren pasagjerësh me tre vagona. Metali i vinçit kishte goditur pjesën e mesme të vagonit të dytë, duke e ndarë atë më dysh”, tregoi ai.

Shefi i policisë së distriktit, Thatchapon Chinnawong, i tha AFP-së se operacionet e shpëtimit janë pezulluar përkohësisht për shkak të një “rrjedhjeje kimike” në vendngjarje. Autoritetet po vijojnë punën për menaxhimin e situatës dhe nxjerrjen e viktimave nga rrënojat.