Vendosni fjalën kyçe....

SHBA pezulloi vizat, Noka e Zhupa: Goditja më e rëndë në marrëdhëniet shqiptaro-amerikan, Rama përgjegjës


Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Noka ka akuzuar kryeministrin Rama si përgjegjës për pezullimin e vizave nga SHBA-ja, masë që prek Shqipërinë, Kosovën e 73 vende të tjera.

Noka shkruan se kjo është goditja më e madhe në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.

“Për shkak të narkoshtetit të Edi Ramës e pësojnë #shqiptarët. Shqipërisë, shtet anëtar në #NATO që nga viti 2009, i ndalen procedurat për marrjen e vizës amerikane. Departamenti i Shtetit ka ndalur procedimin e vizave për 75 vende, përfshirë Shqipërinë. Kjo është goditja më e madhe në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Edi Rama shkaku je ti.” – shkruan Noka.

Ndërsa deputetja Ina Zhupa shkruan se vendimi i SHBA-së është kambanë alarmi dhe se kjo gjë nuk është aspak rastësi por ka lidhje me keqqeverisjen e Edi Ramës dhe shtetin e dobësuar, lidhjet me narkotrafikun.

“Vendimi i SHBA-së për të pezulluar vizat për Shqipërinë është një kambanë alarmi për realitetin ku ka përfunduar vendi me qeverisjen e Edi Ramës! Për vite kemi dëgjuar slogane për “partneritet strategjik”, “imazh të përmirësuar” dhe “besueshmëri ndërkombëtare”, ndërsa sot vendi ynë renditet në të njëjtën kategori me shtete që njihen për izolim, paqëndrueshmëri dhe mungesë standardesh. Kjo nuk është rastësi. Është pasojë e drejtpërdrejtë e një shteti të dobësuar nga lidhjet me narkotrafikun, nga korrupsioni, nga krimi i organizuar dhe nga institucione që funksionojnë për interesa politike, jo për qytetarët. Në fund, ata që dëmtohen janë qytetarët shqiptarë! Ky është një hap prapa për Shqipërinë, jo sepse partnerët na kanë braktisur, por sepse qeverisja ka dështuar. Kjo qeveri e dështuar duhet larguar një orë e më parë për të mirën e vendit!” – shkruan Zhupa.