
Administrata e presidentit Donald Trump pritet të njoftojë të mërkurën kalimin e Shteteve të Bashkuara në fazën e radhës të planit për Gazën, e cila parashikon emërimin e 15 anëtarëve në një komitet të përkohshëm palestinez që do të administrojë territorin. Lajmi bëhet i ditur nga zyrtarë amerikanë të cituar nga The Wall Street Journal.
Vendimi vjen pas stabilitetit relativ të armëpushimit, i cili në përgjithësi është respektuar pavarësisht shkeljeve të izoluara, si dhe pas kthimit nga Hamasi të të gjithë pengjeve, me përjashtim të njërit: trupit të ushtarit izraelit, rreshterit Ran Gvili. Sipas zyrtarëve amerikanë, kushtet aktuale lejojnë kalimin nga ndalimi i konfliktit drejt krijimit të strukturave qeverisëse dhe nisjes së rindërtimit të Gazës, përcjell YNet.
Rreth dy javë më parë, presidenti Trump u takua me familjen e Gvilit në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida dhe u zotua se do ta kthente trupin e tij në atdhe. Megjithatë, Trump nuk ka premtuar se do ta vonojë fazën e re të planit deri në kthimin e trupit nga Hamasi dhe ka vendosur të ecë përpara pavarësisht kësaj.
Plani ambicioz i Trump për rindërtimin e Gazës, përfshirë transformimin e saj në atë që ai e ka përshkruar si një “Rivierë të Lindjes së Mesme”, vazhdon të përballet me skepticizëm të gjerë. Një nga arsyet kryesore është fakti se Hamasi nuk ka pranuar të çarmatoset, një nga kushtet themelore të planit të paqes të shpallur në tetor.
Anëtarët e trupës që do të quhet Komiteti Kombëtar për Administrimin e Gazës do të jenë teknokratë, përgjegjës për menaxhimin e përditshëm të territorit, përfshirë shërbimet publike, infrastrukturën dhe arsimin. Sipas burimeve amerikane, Nickolay Mladenov, ish-koordinator special i OKB-së për procesin e paqes në Lindjen e Mesme dhe ish-ministër i Jashtëm i Bullgarisë, pritet të emërohet përfaqësues i lartë i një Këshilli Paqeje të udhëhequr nga Trump dhe të mbikëqyrë zbatimin e planit.
Këshilli i Paqes, që pritet të ketë rreth 12 anëtarë, do të japë udhëzime në nivel të lartë për çështjet që lidhen me Gazën. Trump ka deklaruar se ai do të përbëhet nga “liderët më të rëndësishëm të vendeve më të rëndësishme”, pa dhënë emra konkretë.
Administrata amerikane ende nuk ka bërë të ditur se cilat shtete do të marrin pjesë në një Forcë Ndërkombëtare Stabilizimi, e përbërë nga trupa të huaja që do të synojnë ruajtjen e rendit në Gazë. Zyrtarët amerikanë thanë se detajet do të publikohen më vonë, ndërsa prapa skenave ka shqetësime nga disa vende për rrezikun e perceptimit si forcë pushtuese dhe për kërcënimin që paraqet Hamasi, i cili mbetet i armatosur.
Pavarësisht këtyre vështirësive, zyrtarë të administratës Trump shprehen se presin që Hamasi të humbasë gradualisht pushtetin dhe t’i hapë rrugë një strukture të re qeverisëse në Gazë. Vetë Hamasi deklaroi të dielën se do të shpërndajë qeverinë aktuale sapo komiteti teknokrat të marrë detyrat.