
Presidenti i SHBA, Donald Trump, u ka bërë thirrje protestuesve në Iran që të vazhdojnë protestat kundër regjimit, duke deklaruar se “ndihma është përgjatë rrugës”, ndërsa në vend raportohet për mijëra të vrarë pas një goditjeje të ashpër nga autoritetet.
Në një deklaratë publike, Trump u shpreh: “Vazhdoni të protestoni. Ndihma ështtë rrugës.”
Ndërkohë, mbetet e paqartë se çfarë lloj ndihme ka parasysh presidenti amerikan dhe kur mund të ndërhyjë Uashingtoni.
Sipas raportimeve nga Shtëpia e Bardhë, ekipi i tij i sigurisë kombëtare pritet të mblidhet sot për të diskutuar opsionet për Iranin, përfshirë mundësinë e ndërhyrjes, përcjell BBC.
Kriza në Iran është përshkallëzuar rëndë gjatë javëve të fundit. Pasditen e sotme, një zyrtar iranian i sigurisë i tha Reuters se numri i të vrarëve mund të ketë arritur në rreth 2,000 persona, mes tyre protestues dhe pjesëtarë të forcave të sigurisë.
Familjarë të iranianëve në diasporë kanë përshkruar për mediat ndërkombëtare skena të rënda dhune, të cilat i kanë marrë vesh vetëm në telefonatat e para pas ditësh heshtjeje, për shkak të bllokimit të komunikimeve në vend.
Sipas organizatave të të drejtave të njeriut, situata në terren është dramatike.
Një protestues, Erfan Soltani, pritet të ekzekutohet nesër, sipas të dhënave të publikuara nga një grup i të drejtave të njeriut, i cili tha se “asnjëherë nuk kemi parë një rast të lëvizë kaq shpejt drejt ekzekutimit”.
Megjithëse një pjesë e iranianëve kanë mundur të komunikojnë me familjarët jashtë vendit, një ndërprerje e gjerë e internetit vazhdon të pengojë verifikimin e informacionit dhe përhapjen e videove e dëshmive nga protestat.
Protestat kundër varfërisë, krizës ekonomike dhe regjimit kanë tronditur Iranin prej disa javësh dhe po konsiderohen si sfida më e madhe e autoriteteve në vite.
Shtetet e Bashkuara vijojnë të rrisin presionin diplomatik, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po bëhet gjithnjë e më kritik ndaj mënyrës së menaxhimit të situatës nga Teherani.