Vendosni fjalën kyçe....

Trump: Do të bisedoj me Musk për rikthimin e internetit në Iran


Presidenti i SHBA, Donald Trump, deklaroi të dielën se planifikon të flasë me miliarderin Elon Musk për rikthimin e internetit në Iran, ku autoritetet kanë bllokuar shërbimet prej katër ditësh, mes protestave të vazhdueshme kundër regjimit.

Ai është shumë i mirë në këtë lloj gjërash, ka një kompani shumë të mirë,” tha Trump për gazetarët, kur u pyet nëse do të bashkëpunonte me SpaceX – kompania e Musk e cila ofron shërbimin e internetit satelitor Starlink, tashmë i përdorur më herët edhe në Iran, sipas Reuters.

Musk dhe SpaceX nuk komentuan menjëherë mbi deklaratën.

Informacioni që vjen nga Irani është reduktuar ndjeshëm për shkak të ndërprerjes së internetit që prej të enjtes, ndërsa vendi është përfshirë nga protestat më të mëdha kundër establishmentit klerikal që prej vitit 2022.

Trump dhe Musk kanë pasur një marrëdhënie të ndërlikuar gjatë viteve të fundit. Miliarderi kontribuoi financiarisht në fushatën e suksesshme të Trump dhe më pas mbështeti shkurtimet masive në administratën federale.

Por vitin e kaluar ata patën një përplasje publike, pasi Musk kundërshtoi reformën fiskale të Trump.

Ndërkohë, marrëdhëniet e tyre duket se janë normalizuar, ata u panë duke darkuar së bashku në Mar-a-Lago këtë muaj dhe sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, pritet të vizitojë një qendër të SpaceX në Teksas të hënën.

Musk ka mbështetur hapur ofrimin e Starlink për iranianët, për të ndihmuar në shmangien e censurës së regjimit, përfshirë protestat e vitit 2022.

Në atë kohë, administrata Biden bashkëpunoi me Musk për vendosjen e Starlink në Iran, pas protestave të ndezura nga vdekja në paraburgim e 22-vjeçares Mahsa Amini.

Starlink është përdorur edhe në zona të tjera konflikti, si Ukraina, ku – siç raportoi Reuters – Musk urdhëroi një ndërprerje të shërbimit gjatë një ofensive kyçe të forcave ukrainase në vitin 2022.

Protestat aktuale në Iran

Protestat e reja nisën më 28 dhjetor, fillimisht si reagim ndaj rritjes së çmimeve, për t’u shndërruar gradualisht në protesta kundër udhëheqjes klerikale të vendit.

Sipas organizatës amerikane HRANA, e cila monitoron shkeljet e të drejtave të njeriut, janë verifikuar 490 protestues të vrarë, 48 pjesëtarë të forcave të sigurisë të vrarë gjithashtu dhe mbi 10,600 të arrestuar në dy javët e fundit

Irani nuk ka publikuar një bilanc zyrtar dhe Reuters nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur shifrat.

Në qendër të përpjekjeve amerikane mbetet çështja e aksesit në internet për iranianët – një element që Trump e cilësoi si thelbësor për transparencë dhe lirinë e informacionit në kohë të protestave masive.