
Tregtia me pakicë në sasi ka pësuar rritje përgjatë viteve të fundit, por produktet për fëmijë, libra, kancelari, lodra etj. kanë pësuar rënie.
Në 9 mujorin 2025 indeksi i shitjeve me pakicë në këtë grup është së paku 2.2 pikë për qind më u ulët se në vitin 2021, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT.
Të dhënat mujore për kategorinë “Libra, gazeta, artikuj shkollorë, produkte të argëtimit, pajisje sportive, lodrat, lojërat dhe të tjera produkte” tregojnë një prirje rënëse të tregtisë së artikujve të lidhur me fëmijët, sidomos duke hyrë në vitin 2024 dhe duke u thelluar në 2025. Në shtator 2025 indeksi i tregtisë me pakicë në volum në këtë kategori shënoi 91.6% (2021=100) çka do të thotë se sasia e tregtuar në këtë grup ishte se paku 10 pikë % më e ulët se katër vite më pare.
Edhe pse muaji shtator shënon kulmin e shitjeve për shkak të nisjes se shkollës sërish tregtia në këtë grup shënoi ulje. Pas niveleve relativisht të larta gjatë vitit 2023, me kulme të dukshme në periudhat e sezonit shkollor (gusht–tetor) gjatë vitit 2024, vlerat mbeten kryesisht nën nivelet e një viti më parë, ndërsa në 2025 vërehen rënie më të theksuara, me disa muaj që zbresin nën 95 pikë, pavarësisht disa rikuperimeve të përkohshme.
Indeksi i shitjeve me pakicë sugjeron dobësim të kërkesës për libra dhe artikuj shkollorë, e cila lidhet me rënien e nxënësve në shkolla.
Në tërësi, tregtia e këtyre produkteve po humbet gradualisht volum, duke reflektuar një trend rënës, përveç luhatje sezonale.
Numri i lindjeve ka rënë ndjeshëm vitet e fundit, ndërsa emigrimi i familjeve të reja ka zvogëluar bazën e nxënësve. Më pak fëmijë do të thotë automatikisht më pak kërkesë për libra shkollorë, fletore dhe materiale ndihmëse. Në Tiranë ndërmjet 2021-shit dhe 2025-s lindjet kanë rënë me 12.9%. Kjo ulje lidhet kryesisht me emigracionin e vazhdueshëm të të rinjve dhe presionet ekonomike.
Në vitin 1950, kur u vendos regjimi i diktaturës komuniste, lindën 47,291 foshnja, sipas të dhënave nga arkivat e INSTAT, teksa numri i grave në moshë riprodhimi (15-49 vjeç) ishte vetëm 259,472 mijë. Në 2024 lindën pak më shumë se 22 mijë foshnja, teksa numri i grave në moshë riprodhimi ishte gati dy herë më i lartë se në vitet 1950.
Edhe Tirana mbetet qendra kryesore ekonomike, kostoja e lartë e jetesës dhe mungesa e infrastrukturës mbështetëse për familjet e reja kanë ndikuar negativisht në këtë trend, duke bërë që lindjet të jenë në rënie.
Nga ana tjetër rritja e kostos së jetesës ka detyruar familjet të kufizojnë shpenzimet jo thelbësore, duke shtyrë blerjet e librave, materialeve shtesë shkollore apo produkteve kulturore për fëmijë drejt minimumit të nevojshëm.
Gjithashtu përdorimi i materialeve online, platformave arsimore dhe burimeve elektronike ka ulur nevojën për libra të shtypur dhe artikuj tradicionalë shkollorë, sidomos në qytetet e mëdha./Monitor