
Të paktën 648 protestues janë vrarë në Iran që nga shpërthimi i demonstratave antiqeveritare, sipas organizatës Iran Human Rights. Mes viktimave raportohet se janë edhe nëntë të mitur, ndërsa mijëra persona të tjerë janë plagosur. Shifra të tjera, ende të paverifikuara, flasin për mbi 1,000 të vdekur, ndërsa disa vlerësime e çojnë numrin edhe mbi 6,000.
Në këtë kontekst tensioni, princi i kurorës iranian në mërgim, Reza Pahlavi, i konsideruar gjerësisht jashtë Iranit si figura simbolike e protestave, i ka bërë thirrje presidentit amerikan Donald Trump që të veprojë. Në një mesazh të publikuar në rrjetin X, Pahlavi deklaroi se “tani është koha për të vepruar” për t’i dhënë fund sundimit të ajatollahëve, duke shtuar se regjimi iranian është i dobësuar dhe se populli është gati për ta përmbysur.
“Populli nuk ka nevojë për trupa të huaja në terren, por për veprimin e liderit të botës së lirë,” shkroi ai, duke paralajmëruar se negociatat me regjimin aktual nuk do të sjellin paqe, ndërsa mbështetja e menjëhershme për protestuesit, sipas tij, mund të shpëtojë mijëra jetë dhe të garantojë stabilitet afatgjatë në rajon.

Vala e fundit e protestave shpërtheu të enjten, pas thirrjes së Pahlavit që qytetarët të dilnin në rrugë në orën 20:00. Ai shpalli një “fazë të re të kryengritjes kombëtare” për rrëzimin e Republikës Islamike, duke paralajmëruar se institucionet dhe zyrtarët e përfshirë në propagandën e regjimit konsiderohen objektiva legjitime të rezistencës.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka sinjalizuar mundësinë e rikthimit në bisedime me Teheranin për marrëveshjen bërthamore, duke bërë të ditur se Irani ka propozuar negociata të reja. Nga ana tjetër, ai paralajmëroi regjimin iranian kundër përdorimit të dhunës ndaj protestuesve, duke theksuar se SHBA do të përgjigjet me forcë nëse situata përshkallëzohet.
Autoritetet iraniane kanë hedhur poshtë akuzat për humbje masive jete. Ministri i Jashtëm, Abbas Araghchi, akuzoi Trumpin për nxitjen e dhunës dhe deklaroi se situata në vend është “plotësisht nën kontroll”. Paralelisht, Teherani ka organizuar manifestime pro-regjimit, të cilat mediat shtetërore i kanë përshkruar si marshime masive në disa provinca.

Udhëheqësi Suprem, Ajatollah Ali Khamenei, vlerësoi tubimet mbështetëse, duke i cilësuar si një mesazh të qartë për kundërshtarët e jashtëm të Iranit. Ndërkohë, zyrtarë të lartë iranianë kanë paralajmëruar se vendi është i gatshëm të përballet edhe me një skenar ushtarak, nëse kërcënimet nga Uashingtoni materializohen.
Situata në terren mbetet e paqartë edhe për shkak të bllokimit pothuajse total të internetit, i cili ka zgjatur prej disa ditësh. Sipas NetBlocks, lidhja në Iran ka rënë në rreth 1% të niveleve normale. Organizatat e të drejtave të njeriut raportojnë për arrestimin e mbi 10,600 personave dhe për rreth 600 protesta të zhvilluara në të 31 provincat e vendit gjatë dy javëve të fundit, shkruan Ynet.
