
Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria ka ndërtuar një reputacion të besueshëm ndërkombëtar në garat për investime në sektorin energjitik, duke theksuar se proceset kanë qenë të ndershme dhe transparente.
Ai shtoi se edhe investitorët amerikanë kanë dhënë dëshmi pozitive për bashkëpunimin me institucionet shqiptare, duke theksuar se qeveria ka qenë pranë tyre në çdo hap, përfshirë tejkalimin e vështirësive në nivel vendor.
“Ne ndërkohë kemi realizuar një proces besueshmërie. Sektori energjitik është sektor i garave ndërkombëtare dhe me reputacion të rëndësishëm ndërkombëtar.
Dhe më vjen mirë ta nënvizoj meqë jemi në një fazë ku fjala korrupsion është në këpucët e modës, që po nuk e nxorëm nga goja nuk është në modë, në këtë sektor nuk ka një kompani të vetme serioze që ka marrë pjesë në këto gara e të ketë shprehur një rezervë sado të vogël lidhur me integritetin e garave dhe proceset e stabilizuara në këtë sektor.
Të njëjtën dëshmi ta japin fare mirë amerikanët që janë këtu nga sektori privat, sepse jo vetëm që nuk kanë ndeshur në Tiranë asnjë pengesë të kësaj natyre, por e kanë pasur qeverinë në krah në çdo hap edhe për të kaluar pengesa absurd në nivelin vendor ku është e mirëkuptueshme për një bashki të vogël, të pamësuar në futjen e territorit të projekte të një ariu kaq të madh që të kishte dhe ndrotje, ngurrim, rezerva etj. Por sot jemi këtu”, tha Rama