Vendosni fjalën kyçe....

Hetimi pasuror për Berishën, Belind Këlliçi përfundon në SPAK, pyetet për financimin e Kuvendit të Rithemelimit të 11 dhjetorit


 “U thirra për një çështje periferike nga prokurori Arben Kraja”.

Kështu deklaroi deputeti demokrat Belind Këlliçi, teksa la ambientet e SPAK, ku u mor në pyetje për më shumë se 1 orë e 30 minuta. Burimet thonë se bëhet fjalë për një çështje që lidhet me hetimin e pasurisë së ish-kryeministrit Sali Berisha dhe familjarëve të tij.

Sipas burime për VNA, Këlliçi është pyetur lidhur me mënyrën e financimit të Kuvendit të Rithemelimit, 11 dhjetor 2021, ku deputeti ka qenë një nga organizatorët bashkë me Flamur Nokën dhe Albana Vokshin.

Për kujtesë, në 11 dhjetor Sali Berisha bashkë me të sipërpërmendurit organizuan një kuvend në stadiumin Air Albania, ku de facto morën drejtimin e PD dhe Berisha u vetëshpall kryetar i partisë.

Askush në atë kohë nuk iu përgjigj pyetjes se kush financoi atë aktivitet, ku së paku u shpenzuan 1 milion euro, të llogaritura me infrastrukturën dhe mikpritjen e njerëzve.

Por mesa duket, në sitën e SPAK-ut po kalojnë edhe këto shpenzime, që e kanë kapur gafil Belind Këlliçin, i cili me këtë rast e ka qepur gojën për Prokurorinë e Posaçme dhe nuk ka folur para gazetarëve.

Mbetet për t’u parë se çfarë do të rezultojë pas hetimeve të SPAK-ut për këtë çështje.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e VNA