
Bloomberg raportoi këtë fundjavë, duke cituar burime, se Turqia po kërkon t’i bashkohet një aleance mbrojtjeje të nënshkruar së fundmi midis Arabisë Saudite dhe Pakistanit, një shtet i armatosur me armë bërthamore. Ky hap mund të çelë rrugën për një rreshtim të ri sigurie që mund të ndryshojë ekuilibrin e fuqisë në Lindjen e Mesme dhe më gjerë.
Pakti i mbrojtjes midis Arabisë Saudite dhe Pakistanit, të dy vende myslimane, u nënshkrua në shtator dhe parashikon që çdo sulm ndaj njërit prej dy shteteve do konsiderohet si sulm ndaj të dyve. Kjo klauzolë është e ngjashme me Nenin 5 të kartës së NATO-s, aleancës ushtarake perëndimore të shteteve evropiane, Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara. Vetë Turqia është anëtare e NATO-s dhe ushtria e saj është e dyta më e madhe e aleancës, pas asaj të Shteteve të Bashkuara.
Burimet që folën me Bloomberg thanë se bisedimet për përfshirjen e Turqisë në paktin e mbrojtjes saudito-pakistanez janë në një fazë të përparuar dhe se një marrëveshje ka shumë të ngjarë të nënshkruhet përfundimisht. Burimet thanë se zgjerimi i aleancës për të përfshirë Ankaranë ka vlerë strategjike për të tre vendet, pasi interesat e Turqisë janë gjithnjë e më shumë të lidhura me ato të Arabisë Saudite dhe Pakistanit në Azinë Jugore, Lindjen e Mesme dhe Afrikë.
Sipas raportit, Turqia gjithashtu e sheh paktin si një mënyrë për të forcuar sigurinë dhe aftësitë e saj parandaluese mes pyetjeve në rritje se sa mund të mbështetet te Shtetet e Bashkuara dhe te angazhimi i presidentit Donald Trump ndaj NATO-s.
Nihat Ali Özcan nga instituti TEPAV me bazë në Ankara tha për Bloomberg se Arabia Saudite do sillte fuqi ekonomike në një aleancë tripalëshe, Pakistani do kontribuonte me aftësi bërthamore, raketa balistike dhe fuqi njerëzore, ndërsa Turqia do ofronte përvojë ushtarake dhe një industri mbrojtjeje shumë të zhvilluar.
“Ndërsa Shtetet e Bashkuara i japin përparësi interesave të tyre dhe atyre të Izraelit në rajon, ndryshimi i dinamikave dhe pasojat e konflikteve rajonale po i shtyjnë vendet të zhvillojnë mekanizma të rinj për identifikimin e miqve dhe armiqve,” tha Özcan.
Arabia Saudite dhe Turqia ishin rivale për vite me radhë për udhëheqjen në botën myslimane sunite dhe marrëdhëniet mes tyre ishin të shënuara nga mosbesimi i thellë. Megjithatë, në vitet e fundit, lidhjet janë përmirësuar dhe dy vendet kanë zgjeruar bashkëpunimin ekonomik dhe të sigurisë. Të dyja janë gjithashtu të shqetësuara nga ndikimi rajonal i Iranit shiit dhe mbështesin qeverinë e re të Sirisë të udhëhequr nga sunitët.
Turqia dhe Pakistani kanë mbajtur lidhje të ngushta ushtarake prej vitesh. Ankaraja po ndërton anije luftarake për marinën e Pakistanit dhe ka modernizuar dhjetëra avionë luftarakë F-16 të Pakistanit. Turqia gjithashtu ndan teknologjinë e dronëve me të dyja vendet, shkruan Ynet.