Vendosni fjalën kyçe....

Reshje të dendura bore në Qarkun Dibër, fshatra të izoluar dhe probleme me energjinë elektrike



Reshjet e dendura të borës kanë shkaktuar probleme të shumta në disa njësi administrative të Qarkut Dibër. Prej ditës së djeshme, në shumë zona raportohet mungesë e energjisë elektrike.

Trashësia e borës në njësitë administrative Lurë, Kala e Dodës, Selishtë dhe Muhurr ka kaluar mbi 40 centimetra. Bashkia Dibër ka nisur punën intensive për hapjen e rrugëve që lidhin fshatrat, megjithatë në disa zona vijojnë të ketë fshatra të izoluara.

Në qytetin e Peshkopisë, trashësia e borës arrin rreth 20 centimetra. Aksi rrugor Peshkopi–Kukës kalohet vetëm me zinxhirë dhe me vështirësi të konsiderueshme, ndërsa segmenti Ura e Çerenecit–Librazhd është aktualisht i pakalueshëm, por po punohet për hapjen e tij.

Ndërkohë, rruga Peshkopi–Tiranë është e qarkullueshme pa nevojën e përdorimit të zinxhirëve. Në të gjithë qarkun, strukturat përkatëse po vijojnë punën për pastrimin e borës dhe hapjen e rrugëve rurale.