Vendosni fjalën kyçe....

Operacioni “Skema”/ Mashtrim me 40 mijë euro dhe kultivim droge, 4 të arrestuar, 2 në kërkim



Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Skema”, në kuadër të të cilit u godit një rast mashtrimi dhe u zbulua një ambient i përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike.

Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Tiranë dhe Komisariatet e Policisë së Kavajës dhe Divjakës, pas kallëzimit të një shtetasi 55 vjeç, i cili ishte mashtruar nga disa persona të panjohur.

Nga hetimet u identifikuan pesë shtetas, ndërsa katër prej tyre u arrestuan:

  • Krenar Toromeni, 36 vjeç, banues në Divjakë

  • Ilia Gjini, 24 vjeç, banues në Divjakë

  • Artur Lecini, 39 vjeç, banues në Kavajë

  • Elton Rrushi, 38 vjeç, banues në Kavajë

Ndërkohë, dy shtetas të tjerë, E. B., 34 vjeç dhe L. M., 35 vjeç, janë shpallur në kërkim.

Sipas Policisë, të dyshuarit, duke u prezantuar si të njohur të viktimës, i kanë marrë 55-vjeçarit shumën prej 40 mijë eurosh në rrethrrotullimin e Rinasit.

Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit A. L., ku ndodhej edhe shtetasi E. Rr., shërbimet e Policisë kanë zbuluar një ambient të pajisur me instalime elektrike për kultivimin e bimëve narkotike. Në kuadër të operacionit janë sekuestruar dhjetëra bimë Cannabis, pajisje për kultivim (llamba dhe ventilatorë), sasi kokaine dhe cannabis, katër telefona celularë, si dhe një automjet tip “Audi Q5”, me të cilin autorët dyshohet se janë larguar pas marrjes së parave.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.