Vendosni fjalën kyçe....

Një mashtrues, një legjendë e industrisë së muzikës dhe sherri për një kryevepër


Një tregtar arti i nderuar në Londër, Patrick Matthiesen, ndodhej në zyrën e galerisë së tij në katin e dytë vitin e kaluar, i rrethuar nga pirgje librash mbi mjeshtrat e vjetër, kur hapi një e-mail që konfirmoi frikën e tij më të madhe.

“Kjo do jetë e shkurtër,” fillonte e-maili i 4 marsit.

“Gënjeva…”

Dërguesi ishte një amerikan që Matthiesen e njihte si A.J. Doyle. Përmes një korrespondence që zgjati më shumë se dy vjet, Doyle e kishte magjepsur tregtarin me rrëfime joshëse për jetën e tij si ish-pilot luftarak i Marinës, me lidhje në mbarë botën e artit dhe kontroll mbi një pasuri familjare prej 2.5 miliardë dollarësh.

Matthiesen, i cili është 82 vjeç, krijoi besim te njohja e tij e re aq sa e lejoi Doyle të ndërmjetësonte shitjen e një pikture të shekullit të 19-të të Gustave Courbet, “Nëna dhe fëmija në një lëkundëse”, të cilën tregtari i Londrës ishte përpjekur ta shiste për 650,000 dollarë.

Përmes manovrimit të Doyle, piktura iu shit përfundimisht…kujt do thoni ju…legjendës së rock ’n’ roll-it, Jon Landau, producentit dhe menaxherit prej kohësh të Bruce Springsteen, i cili renditet gjithashtu si një nga koleksionistët kryesorë të artit në vend me një koleksion që përfshin vepra nga Donatello, Tician dhe Tintoretto.

Por për muaj të tërë, Doyle kishte zvarritur dërgimin e pjesës që i takonte Matthiesen-it nga shitja e Courbet. Në atë e-mail të marsit, Doyle po e bënte të qartë se nuk kishte ndërmend të kalonte fitimet, në fakt, ai planifikonte të zhdukej.

“Pasi ta dërgoj këtë, do ta hedh telefonin në një kosh mbeturinash, do të hipi në varkë dhe do të drejtohem drejt jugut ku moti është i ngrohtë,” shkroi ai në mesazhin e rishikuar nga The Wall Street Journal.

Patrick Matthiesen duke mbajtur një libër që ai ka prodhuar, i cili përshkruan veprën “Nëna dhe fëmija në një hamak” nga Gustave Courbet

Në e-mailin e tij, Doyle, 68 vjeç, tha se ishte i rënduar nga depresioni dhe alkoolizmi. Dhe duke përmendur ato që ai i quajti “pamaturitë e kaluara”, ai la të kuptohej se nuk ishte ai që pretendonte të ishte.

Tetë muaj më vonë, në nëntor, prokurorët amerikanë arrestuan Doyle dhe e akuzuan atë për mashtrim ndaj Matthiesen. Njoftimi për shtyp e quajti atë “mashtrues përsëritës”. Ai po mbahet në burgun federal në Bruklin dhe është deklaruar i pafajshëm.

Aktakuza e identifikon atë si Thomas Doyle, duke thënë se ai përdorte gjithashtu pseudonimet A.J. dhe Austin Doyle. Rekorde të tjera gjyqësore tregojnë se Doyle në kohë të ndryshme ka operuar si Thomas O’Brien, Terry Kelly dhe Dennis Thomas. Avokati i caktuar nga gjykata për Doyle nuk iu përgjigj kërkesave për koment.

Në një përplasje ligjore që është bërë zhurma e qarkut ndërkombëtar të artit, Matthiesen që atëherë është vënë në kërkim të rimarrjes së kryeveprës së tij, e cila aktualisht varet në dhomën e ngrënies së Landau-t, rreth një orë në veri të qytetit të Nju Jorkut.

Landau pagoi 125,000 dollarë, ose më pak se një e katërta e asaj që Matthiesen kërkonte fillimisht, dhe tregtari pretendon në padinë e tij se koleksionisti i sofistikuar duhet ta dinte se oferta ishte shumë e mirë për të qenë e vërtetë.

Landau thotë se e bleu Courbet-in rregullisht vitin e kaluar nga një tregtare me reputacion në Nju Jork, avokati i së cilës thotë se ajo ishte e autorizuar ligjërisht për ta rishitur veprën.

Edhe pse asnjëri nuk e takoi kurrë Doyle-in personalisht, të dy burrat janë shtesat e fundit në “galerinë” e Doyle me viktima të largëta. Është një koleksion që shtrihet nga Kansas në Tennessee e deri në Nju Jork, me bëma që vetëm sa janë bërë më të guximshme gjatë katër dekadave. Siç mësuan ata, çështja Courbet nuk ishte hera e parë që ky person i pashëm ia doli të mashtronte blerësit e aftë të artit.

Bruce Springsteen dhe menaxheri i tij Jon Landau duke ndjekur një shfaqje të filmit ‘Deliver Me from Nowhere’ gjatë Festivalit të Filmit në Nju Jork vitin e kaluar

“Ëndrra e çdo vajze”

I lindur në Kansas në vitin 1957, Doyle kishte regjistruar tre dënime për vjedhje që në fillim të të 20-ave të tij. Të dhënat kriminale të zbuluara vite më parë nga Kansas City Star tregojnë se ai dikur vodhi një pallto gëzofi dhe një herë tjetër u hoq si agjent i Shërbimit Sekret. Në fillim të viteve 1990, FBI e lidhi atë me inventarë të vlefshëm arti të njohur si “catalogue raisonnés” që ishin vjedhur nga bibliotekat e Midwest-it. Disa u gjetën më vonë të rilidhur me numrat e tyre serialë të fshirë, duke e bërë më të vështirë gjurmimin e origjinës së tyre.

Në vitin 1993, Doyle dhe nëna e tij, Joann Doyle, u paditën së bashku në Kansas për transportimin e pronës së vjedhur përtej kufijve shtetërorë. Doyle përfundimisht rrëfeu se kishte fituar më shumë se 45,000 dollarë nga shitja e librave të vjedhur. Ai u dënua me 30 muaj burg.

Agjenti i FBI-së, Ron Elder, tani në pension, po punonte për çështjen në Topeka, Kan., dhe tha se i lokalizoi Doyle-ët me ndihmën e një ish-të dashure të tradhtuar. Elder kujtoi se Thomas Doyle ishte i gjatë, biond dhe simpatik.

“Ëndrra e çdo vajze,” tha ai.

‘Portreti i një vajze’ nga Jean-Baptiste-Camille Corot

Ish-të dashurat e lënduara do ktheheshin një temë e rëndësishme në jetën e Doyle. Një mësuese në Kansas që u martua me Doyle u tha miqve se mendonte se ai ishte një bankier investimesh. Ajo më vonë humbi 35,000 dollarë prej tij, raportoi Star, duke cituar të dhënat e divorcit. Një tjetër e dashur humbi një investim arti prej 20,000 dollarësh te Doyle.

Doyle kaloi në mashtrimin e njerëzve të klasës punëtore në bizhuteri dhe ar, dhe dikur mbajti 2,500 dollarë që i premtoi një burri në Kansas se do t’i përdorte për të blerë një violinë koleksioni. Ato viktima i thanë Journal se Doyle vinte në shtëpitë e tyre dhe kalonte kohë me familjet e tyre, duke krijuar lidhje me durim, me njohuri të thella për bizhuteritë dhe instrumentet muzikore.

Ai nuk ishte kurrë i bezdisshëm, thanë ata, duke shpjeguar vite më vonë se si e ulën vigjilencën. Ata nuk i panë më kurrë sendet e tyre me vlerë apo paratë.

Në korrik 2006, prokurorët e Manhattan-it akuzuan Doyle për vjedhjen e një skulpture bronzi të një kërcimtareje nudo nga impresionisti francez Edgar Degas, me vlerë 600,000 dollarë. Pa lejen e pronarit, Doyle e kishte shitur fshehurazi skulpturën për 225,000 dollarë te një tregtar antikash. Më pas ajo u rishit përmes një galerie në Manhattan te një blerës në Hong Kong.

Vendndodhja e Degas mbeti mister, por rasti sugjeron se Doyle po mësonte si të futej në qendrën elitare të botës së artit, jo vetëm në skajet e saj. Pronari i skulpturës ishte Norman J. Alexander, një ish-ekzekutiv tekstilesh i vetmuar që jetonte në Manhattan. Alexander, i cili vdiq në vitin 2011, kishte grumbulluar thesare arti të vlefshme në shtëpinë e tij pesëkatëshe në Upper East Side.

Thomas Doyle pas arrestimit të tij në vitin 2010 për mashtrimin e një investitori nga piktura

Doyle e takoi atë pasi pretendoi se ishte pasardhës i tregtarit të famshëm të artit Joseph Duveen, i cili u shiste kryevepra industrialistëve amerikanë në vitet 1920 dhe ’30. Gary Lerner, një avokat që përfaqësonte Alexander, thotë se koleksionisti e priti Doyle në shtëpinë e tij shumë herë. Ata biseduan për orë të tëra rreth artit.

“Z. Alexander i pëlqente shoqëria e tij,” thotë Lerner.

“Ai ishte i vetmuar. Ai nisi atë që mendonte se ishte një miqësi me djalin.”

Bëma e radhës e njohur e Doyle në vitin 2010 mori edhe më shumë vëmendje kur ai u akuzua për bindjen e një investitori privat për të dorëzuar 880,000 dollarë për një pjesë prej 80% në një marrëveshje prej 1.1 milionë dollarësh për të blerë një pikturë nga Jean-Baptiste-Camille Corot, “Portreti i një vajze”.

Në vend të kësaj, Doyle negocioi fshehurazi me një blerës tjetër për ta shitur për 775,000 dollarë për pronësi të plotë, duke i siguruar vetes një fitim prej 105,000 dollarësh, thanë prokurorët. Doyle përdori një pjesë të fitimit të tij për të blerë një Ferrari kuqe kabriolet Mondial T Cabriolet.

Policia më vonë sekuestroi Ferrarin dhe tabloidet e Nju Jorkut u hodhën mbi historinë pjesërisht për shkak të një incidenti qesharak. Doyle ia kishte besuar për pak kohë Corot-in një prej ish-shokëve të tij të qelisë, i cili arriti ta linte pikturën pas disa shkurreve jashtë një ndërtese apartamentesh në Upper East Side në Nju Jork gjatë një nate ku kishin pirë shumë pije.

“E mahnitshme! Budallai humbet pikturën miliona dollarëshe pas një nate në qytet,” deklaroi New York Post. Një punonjës në ndërtesë e gjeti më vonë pikturën në shkurre dhe njoftoi policinë.

Jim Wynne, një ish-agjent i FBI-së që punoi në atë çështje, vuri re një model që po shfaqej në krimet e Doyle: Mashtrimi me dërgesat. Specialiteti i Doyle ishte t’i bindte shitësit ta linin të ndërmjetësonte marrëveshjet e artit, vetëm se ai nuk u paguante më vonë shitësve të tij çmimin e plotë të shitjes, ose asgjë.

“Ai nuk po drejton një punishte që krijon piktura false apo një skemë Ponzi,” thotë Wynne.

“Praktika e Doyle është transaksionale.”

Një skulpturë nga Edgar Degas për të cilën në vitin 2006 Doyle u akuzua për vjedhje

Por Wynne mendonte se kishte dëgjuar për herë të fundit për Doyle pas pjesëmarrjes në dënimin e tij në vitin 2011 për vjedhjen e veprës së Corot. Gjykatësi i gjykatës federale të rrethit të Nju Jorkut i dha Doyle një kritikë të ashpër dhe e dënoi me gjashtë vjet burg, dyfishin e kohës së parashikuar në marrëveshjen e tij për pranimin e fajësisë, duke cituar rekordin e tij që përfshinte 11 dënime.

“Shoqëria duhet të mbrohet nga ju. Ju jeni një grabitqar,” i tha gjykatësi Doyle.

Ndryshe nga hajdutët që mbajnë armë në muze ose përdorin sëpata për vjedhje me thyerje, mashtruesit e botës së artit rrallë bëhen të dhunshëm, kështu që dënimet e tyre me burg shpesh shkurtohen.

“Është në thelb një krim financiar, dhe çdo gjë nën 1 milion dollarë zakonisht është një çështje me kusht për sa i përket kohës së burgut,” thotë Robert Wittman, i cili më parë shërbeu në ekipin e specializuar të FBI-së për Krimet e Artit.

“Për kriminelin, pothuajse ia vlen.”

Rreth tre vjet pas fillimit të dënimit me burg të Doyle për mashtrimin me Corot, ai ishte përsëri një njeri i lirë.

“Jam rritur në biznesin e artit”

Matthiesen nuk dukej si një pre e lehtë. Ai lindi në botën e mbyllur të artit si djali i një tregtari arti hebre gjerman, i cili u largua nga Berlini në vitet 1930 dhe rifilloi biznesin e tij në Londër. Matthiesen i ri u rrit i rrethuar nga inventari i shkëlqyer i babait të tij dhe vijoi studimet për konservimin e artit dhe iu bashkua një galerie të madhe, Colnaghi, përpara se të hapte të tijën në 1978.

Sot, galeria e tij me të njëjtin emër ndodhet në një lagje të Londrës të mbushur me dyqane librash të rrallë, rrobaqepës të nivelit të lartë dhe shtëpi ankandi si Sotheby’s dhe Christie’s.

Doyle i bëri detyrat e tij të shtëpisë.

“Emri im është Austin Doyle. Si ju, edhe unë jam rritur në biznesin e artit,” i shkroi ai Matthiesen në një e-mail prezantues në mes të dhjetorit 2022. Ai tha se blinte dhe shiste art.

“Për momentin jam në Ukrainë si konsulent i Qeverisë së SHBA-së,” shtoi Doyle, duke shpjeguar pse mund të ishte e pamundur të  kontaktohej me telefon.

Matthiesen u përgjigj ngrohtësisht.

“Sa emocionuese të jesh në Ukrainë,” i shkroi ai mbrapsht. “Unë jam një mbështetës i madh.”

Gjatë dy viteve të ardhshme, Doyle i dërgoi Matthiesen një lumë e-mailesh dhe mesazhesh. Doyle i referohej të kaluarës së tij si pilot luftarak F18 në Marinë. Kur nuk ishte në Ukrainë, ai mund të ishte në Afrikë ku kishte mbulim të dobët celulari. Doyle e portretizoi veten si një njeri që ndihej rehat me paratë dhe botën e rrallë të artit të nivelit të lartë.

“Unë menaxhoj trustin e familjes sime,” i shkroi ai Matthiesen.

“Ne blejmë dhe shesim art. Kam rreth 15 kushërinj të kotë që përpiqen çdo vit të shpërbëjnë trustin. Në atë mënyrë ata mund të marrin pjesën e tyre prej përafërsisht 2.5 miliardë dollarësh.”

Matthiesen në galerinë e tij në Londër

Matthiesen thotë se kishte arsye të shihte sinqeritet në motivet e Doyle, veçanërisht pasi Doyle i dërgoi galerisë së tij një vizatim në vitin 2023, pronari i të cilit tha se besonte se ishte nga Michelangelo. Matthiesen dyshonte se asistenti i Michelangelo-s, Daniele da Volterra, ka gjasa ta kishte bërë vizatimin në vend të tij, dhe u konsultua me ekspertë që ranë dakord. Sidoqoftë, vizatimi e bëri përshtypje tregtarin veteran. Edhe një vepër nga ndihmësi i famshëm i Michelangelo-s ishte një gjetje e vlefshme.

“Për mua kjo ishte prova vendimtare,” tha Matthiesen më vonë në një intervistë.

“Sepse këtu ishte një njeri që qartazi, edhe një herë, kishte qasje në vepra të vërteta arti.”

Pronari i vizatimit, një tregtar nga Nju Jorku, më vonë i tha Journal se kishte udhëtuar me vizatimin në Londër për t’u parë nga një ekspert i njohur britanik dhe një blerës i mundshëm rus. Përmes një sërë mashtrimesh, një bashkëpunëtor i Doyle e devijoi atë te Matthiesen në vend të kësaj, pa e marrë vesh eksperti i synuar.

Matthiesen nuk e bleu vizatimin, por terreni ishte përgatitur. Matthiesen do ndihej mjaftueshëm komod sa ta linte Doyle-in të përfshihej në një marrëveshje të tij të mundshme – pikturën Courbet, të cilën ai e kishte blerë në Francë për rreth 112,000 dollarë në gusht 2015.

Matthiesen më pas e kishte restauruar dhe autentifikuar atë, një përmirësim që zakonisht do rriste vlerën e saj. Në vitin 2017 dhe përsëri në 2023, ai e dërgoi atë në panairin më të rëndësishëm në botë për mjeshtrat e vjetër, Panairin e Arteve të Bukura Evropiane në Mastriht, këtë të fundit me një çmim ekuivalent me 701,500 dollarë.

Gjatë panairit të vitit 2023, Landau ishte ndër koleksionistët që ndaluan për të parë veprën, por nuk bëri ofertë. Ai më vonë e pa atë përsëri kur ishte e ekspozuar në një galeri në Nju Jork, dhe përsëri nuk e bleu. Deri në korrik 2024, vepra mbeti e pashitur, një skenar që mund të zbehte më tej tërheqjen e një vepre sepse koleksionistët priren të hidhen më lehtë mbi gjetjet e reja në treg krahasuar me veprat që i konsiderojnë si të “shëtitura” shumë.

Për muaj të tërë, Doyle u përpoq t’i shiste vepra të ndryshme Matthiesen-it, pa sukses. Matthiesen thotë se zakonisht do kishte bërë një kërkim të thellë mbi sfondin e tij përpara se të blinte diçka nga një njohje përmes e-mailit. Por ai u intrigua kur Doyle propozoi rastësisht të ndihmonte Matthiesen të gjente një blerës për Courbet. Matthiesen pyeti vërdallë për A.J. Doyle dhe nuk dëgjoi asgjë shqetësuese.

Shpejt pas kësaj, Doyle i tha Matthiesen se gjeti një person të quajtur Chris të gatshëm për të blerë pikturën Courbet për 550,000 dollarë. Gjithçka që “Chris” duhej të bënte ishte të përfundonte një marrëveshje të madhe pasurish të paluajtshme dhe më pas do dërgonte paratë.

Piktura e Courbet e Patrick Matthiesen iu shfaq blerësve potencialë, përfshirë Jon Landau, në Panairin Evropian të Arteve të Bukura në vitin 2023. Sipër, një vizitor duke shfletuar një galeri në panair atë vit

Ndërsa muajt kalonin, marrëveshja e supozuar e pasurive të paluajtshme u zvarrit dhe Matthiesen ndaloi së dëgjuari nga Doyle. Në vend të kësaj, përditësimet e Doyle filluan të vinin nga dikush që pretendonte se ishte asistentja e tij, e cila prezantohej si Michelle. Ajo ofronte justifikime që gjithnjë e më shumë e acaronin Matthiesen-in. Në një moment, ajo i tha atij se Doyle ishte i paarritshëm sepse ishte me detyrë në Afrikë.

Pastaj në vjeshtën e vitit 2024, një koleg i Matthiesen dëgjoi përmes një kontakti në Sotheby’s në Nju Jork se Landau po u tregonte miqve Courbet-in e tij të ri si shtesën më të fundit në koleksionin e tij. I habitur, Matthiesen i dërgoi e-mail Doyle, i cili i shkroi mbrapsht se po, në fakt, Landau dhe “Chris” e kishin blerë pikturën së bashku. Doyle premtoi të dërgonte paratë sa më shpejt të jetë e mundur.

Ai nuk i tha Matthiesen-it se Landau kishte paguar vetëm 125,000 dollarë për veprën përpara tarifave dhe kornizimit, ose rreth 147,000 dollarë gjithsej. Doyle gjithashtu nuk i dërgoi kurrë Matthiesen-it asnjë qindarkë.

“I tronditur”

Landau, i cili filloi të vizitonte muzetë evropianë dhe të mblidhte art gjatë turneve epike të Springsteen në vitet 1980 dhe 1990, nuk u bashkua kurrë me një “Chris”. Në vend të kësaj, ai thotë se mori një telefonatë rreth një Courbet verën e kaluar nga një tregtare e Nju Jorkut, Jill Newhouse, e cila i kishte shitur disa piktura gjatë viteve. Newhouse i ishte thënë nga një bashkëpunëtor i Doyle se ajo vinte nga një koleksionist i pazbuluar në Connecticut. Ajo i dërgoi një pamje me e-mail Landau-t, i cili e telefonoi menjëherë.

“Më është ofruar kjo pikturë gjatë dekadës së fundit dhe nuk kam asnjë interes,” i tha Landau asaj. Newhouse sugjeroi që ai të bënte një ofertë. Ai ndjeu erën e një marrëveshjeje potencialisht të mirë. “Një qind e njëzet e pesë,” i tha Landau asaj. Ai priste disa negociata, por Newhouse e telefonoi përsëri dhe i tha se shitësit kishin pranuar.

“Jam i tronditur,” i tha Landau asaj.

Me përmasat e një kopertine reviste, “Lëkundësja” është vetëm një nga 18 veprat e Courbet që Landau ka blerë gjatë viteve, dhe nuk është aspak shembulli më i shtrenjtë apo më i rëndësishëm. Megjithatë, ai tha se vepra që paraqet një grua të re duke u çlodhur me një foshnjë të mbështetur në prehërin e saj i jep “një drithërimë të vogël” sa herë që e shikon.

Patrick Matthiesen, e ekspozuar në galerinë e tij në Londër, thotë se Landau dhe të tjerët duhet të kenë dyshuar se diçka ishte e dyshimtë me shitjen e veprës së Courbet

Avokati i Landaut thotë se koleksionisti nuk e dinte se tregtarët e përfshirë përfshinin Doyle dhe bashkëpunëtorin e tij, Shalva Sarukhanishvili, i cili gjithashtu kishte ndihmuar në organizimin e shfaqjes së vizatimit të supozuar të Michelangelo-s në Londër në vitin 2023. Avokatja e Newhouse, Amelia Brankov, thotë se tregtarja kreu kontrolle për t’u siguruar që vepra nuk ishte raportuar e vjedhur dhe thotë se çdo ankesë që Matthiesen ka, duhet të jetë me Doyle.

Avokati i Sarukhanishvili thotë gjithashtu se klienti i tij u mashtrua nga Doyle. Ai tha se Sarukhanishvili është një tregtar arti që ka punuar me Doyle në të kaluarën dhe “gjithmonë i ka kuptuar marrëveshjet e tyre si legjitime”.

Sipas Matthiesen dhe avokatit të tij, Steven Schindler, çmimi tejet i lirë është pikërisht arsyeja pse Newhouse dhe Landau duhet të kishin dyshuar se diçka nuk shkonte dhe të kishin bërë më shumë për të kontrolluar historinë e saj të rreme. Avokati i Landau, Jonathan Kraut, tha se “sugjerimi i Matthiesen se z. Landau dështoi të ushtronte kujdesin e duhur në blerjen e një pikture nga një tregtar arti i njohur dhe i respektuar është absurd”. Ai shtoi se barra i takonte Matthiesen-it për të kontrolluar kredencialet e Doyle dhe tha se Landau pagoi një çmim të drejtë për të në mes të një rënieje të tregut.

Jane Levine, një avokate arti dhe partnere menaxhuese në ArtRisk Group me bazë në Nju Jork, thotë se çështja mund të varet përfundimisht nga lloji i kontratës ose marrëveshjes së dërgesës që Matthiesen nënshkroi me Doyle për të vepruar si agjent i tij. Matthiesen, në padinë e tij, thotë se Doyle e bëri atë të lëshonte një faturë për 550,000 dollarë bazuar në gënjeshtra.

Wittman, ish-agjenti i FBI-së, thotë se pret që njerëzit e botës së artit të mbeten të gozhduar pas kësaj çështjeje ndërsa ajo kalon nëpër gjykata, sepse si Matthiesen ashtu edhe Landau duket se kanë pretendime të arsyeshme mbi Courbet.

“Ne të gjithë duam një marrëveshje të mirë,” thotë Wittman.

“Kjo është arsyeja pse njerëzit blejnë piktura false ose i blejnë ato lirë… Është gjuetia për thesar.”

Sa i përket Doyle, pasuria familjare prej miliarda dollarësh nuk ekziston, thonë prokurorët. Marina e SHBA-së dhe mbajtësit e tjerë të rekordeve ushtarake nuk kanë asnjë rekord që Doyle të ketë shërbyer. Gjatë kohës që asistentja e supozuar e Doyle, “Michelle”, po i dërgonte e-mail Matthiesen-it se Doyle nuk mund të arrihej në udhëtimet e tij të largëta, Doyle nuk u largua kurrë nga SHBA, thotë qeveria.

Në atë ditë fatale në mars, kur ai i dërgoi Matthiesen atë e-mail rrëfyes, Doyle sugjeroi fort se akti i tij i zhdukjes do ishte final. Ai planifikonte të “ndizte grupin Moody Blues, të hapte një shishe burbon dhe të qëllonte veten me “Desert Eagle”” shkroi ai, duke iu referuar një pistolete gjysmë automatike të përdorur gjatë nga ushtria amerikane.

Në të vërtetë, ai u arrestua në Connecticut, ku kishte jetuar për javë të tëra në makinën e tij në parkimin e një hoteli.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Wall Street Journal

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani