Vendosni fjalën kyçe....

“Këtu s’ka asnjë park, vetëm një livadh, SPAK të hetojë” – Blushi akuza Ramës për projektin “Durana Tech Park”


Deputeti i Partisë së Lirisë Tedi Blushi denoncoi kryeministrin Rama lidhur me projektin “Durana Tech Park”, një projekt teknologjik i prezantuar nga qeveria si qendër inovacioni dhe ekselence për bizneset e teknologjisë dhe start-up-et.

Parku në fjalë duhet të ishte në Xhafzotaj të Durrësit, ndërkohë që sipas Blushit, atje është vetëm një livadh ku nuk ka asgjë edhe pse kryeministri Rama kishte deklaruar në prill 2025 se parku ishte funksional.

Dhjetëra kompanitë që janë regjistruar në këtë projekt, përfitojnë lehtësi të shumta fiskale. Blushi tha se dhjetëra kompani, të cilat sipas tij nuk operojnë realisht në këtë zonë, janë regjistruar si rezidente për të përfituar përjashtime nga tatimi mbi fitimin, TVSH-ja, taksat mbi pagat, sigurimet shoqërore dhe taksat e pasurisë, për periudha nga 10 deri në 15 vite.

Ai akuzoi Korporatën Shqiptare të Investimeve, e drejtuar nga Elira Kokona, si dhe Shoqatën e Kompanive të Teknologjisë së Informacionit, për përfshirje në atë që e cilësoi si një “skemë abuzimi financiar”. Blushi i kërkoi SPAK-ut që të hetojë thellësisht aferën në fjalë

Blushi e krahasoi situatën me çështjen e inceneratorëve, teksa pohoi se parku teknologjik ekziston vetëm në dokumente dhe prezantime digjitale, ndërsa në realitet mungon çdo investim fizik.

Çështja në fjalë u denoncuar nga ish.zv.kryeministri Arben Ahmetaj tre ditë më parë, ku e përmendi si një aferë të madhe korruptive.