
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi gjatë mbledhjes së Kryesisë së PD se protestat mbeten rruga e vetme për largimin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Ai tha se opozita nuk duhet të ushqejë iluzione se ndryshimi politik në vend mund të vijë nga ndërhyrjet e partnerëve ndërkombëtarë.
“Nëse ne presim që Edi Ramën do ta marrin dosjet dhe krimi me vete, gabohemi. Ai do të keqpërdorë të gjithë pushtetin për t’u mbrojtur,” u shpreh Berisha.
Sipas tij, pritshmëria se Rama do të përballej me drejtësinë amerikane nuk është realiste, pasi, siç tha, çështjet janë komplekse dhe zgjidhja nuk do të vijë nga jashtë.
“Kush mendon se Ramën e heqin amerikanët, gabon. Ata që duhet t’i përvishen, duhet të jenë qytetarët,” shtoi ai, duke përmendur shtatë rezoluta ndërkombëtare, të cilat sipas tij e “damkosin Ramën njësoj si Maduron”.
Berisha theksoi se gjatë mbledhjes së Kryesisë do të përcaktohet data e protestës së ardhshme, ndërsa shtoi se PD duhet të kalojë në një fazë protestash të vazhdueshme.
“Koha për protesta ka kaluar. Duhet të përcaktojmë datën e protestës së ardhshme duke theksuar se rruga e vetme për largimin e kësaj qeverie është protesta e pandërprerë,” deklaroi kreu i PD-së.
Ai akuzoi edhe njëherë qeverinë për korrupsion, duke përmendur rastin e AKSHI-t dhe tenderat që sipas tij kontrollohen nga “Linda e Surrelit me Lindën e AKSHI-t”.