Vendosni fjalën kyçe....

Administrata Trump mund të ofrojë deri në 100 mijë dollarë për person për të bindur Groenlandën t’i bashkohen SHBA-së


Zyrtarët amerikanë kanë diskutuar dërgimin e pagesave të drejtpërdrejta për banorët e Groenlandës, si pjesë e një përpjekjeje për t’i bindur ata që të shkëputen nga Danimarka dhe potencialisht t’i bashkohen Shteteve të Bashkuara, sipas katër burimeve të njohura me çështjen.

Ndonëse shifra e saktë në dollarë dhe logjistika e çdo pagese mbeten të paqarta, zyrtarët amerikanë, përfshirë ndihmësit e Shtëpisë së Bardhë, kanë diskutuar shifra që variojnë nga 10,000 deri në 100,000 dollarë për person, thanë dy nga burimet, të cilët kërkuan anonimitetin për të diskutuar bisedimet e brendshme.

Ideja e pagesës së drejtpërdrejtë për banorët e Groenlandës, një territor jashtë shtetit i Danimarkës, ofron një shpjegim se si SHBA-ja mund të përpiqet të “blejë” ishullin me 57,000 banorë, pavarësisht këmbënguljes së autoriteteve në Kopenhagen dhe Nuuk se Groenlanda nuk është në shitje.

Kjo taktikë është ndër planet e ndryshme që po diskutohen nga Shtëpia e Bardhë për marrjen e Groenlandës, përfshirë përdorimin e mundshëm të ushtrisë amerikane. Por ajo rrezikon të perceptohet si tepër transaksionale dhe madje fyese për një popullsi që ka debatuar prej kohësh për pavarësinë e saj dhe varësinë ekonomike nga Danimarka.

Trump ka argumentuar prej kohësh se SHBA-ja duhet ta marrë Groenlandën për disa arsye, përfshirë faktin se ajo është e pasur me minerale të nevojshme për aplikime ushtarake të avancuara. Ai ka thënë gjithashtu se Hemisfera Perëndimore në përgjithësi duhet të jetë nën ndikimin gjeopolitik të Uashingtonit.

“Na duhet Groennlanda nga pikëpamja e sigurisë kombëtare, dhe Danimarka nuk do jetë në gjendje ta bëjë këtë,” u tha Trump gazetarëve në Air Force One të dielën.

Një nga burimet tha se diskutimet për pagesat prej 100,000 dollarësh për person, që do rezultonte në një kosto totale prej rreth 6 miliardë dollarësh, ishin një mundësi reale.

Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se ndërhyrja ushtarake është e mundur, deksisa zyrtarët kanë thënë gjithashtu se SHBA-ja preferon blerjen e ishullit ose marrjen e tij përmes mjeteve diplomatike, shkruan Reuters.