Vendosni fjalën kyçe....

Trump mbështet projektligjin e Kongresit për sanksionet ndaj Rusisë


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se mbështet një projektligj dypartiak në Kongres që e autorizonte atë të vendoste sanksione gjithëpërfshirëse ndaj partnerëve tregtarë të Rusisë.

Trump i bëri këto komente pasi senatori republikan Lindsey Graham tha se presidenti i kishte dhënë “dritën jeshile” legjislacionit që do lejonte tarifa deri në 500% mbi vendet që blejnë naftë dhe gaz rus. Graham e prezantoi projektligjin vitin e kaluar së bashku me demokratin Richard Blumenthal.

“Unë e mbështes atë. Shpresoj që të mos na duhet ta përdorim,” tha Trump për Sean Hannity të Fox Neës në një intervistë të transmetuar të enjten.

“Ne kemi vendosur sanksione të mëdha ndaj Rusisë. Ekonomia e Rusisë është shumë keq, por ata janë shumë më të mëdhenj se Ukraina,” shtoi ai.

Trump ka shprehur zemërim se përpjekjet e tij për të ndërmjetësuar një armëpushim mes Rusisë dhe Ukrainës gjatë vitit të kaluar kanë qenë të pasuksesshme, duke fajësuar herë pas here të dyja vendet.

Në nëntor, ai propozoi një udhërrëfyes për paqen që Ukraina dhe mbështetësit e saj evropianë e hodhën poshtë si favorizues ndaj Rusisë, ndërsa akuzoi Moskën për zvarritje të bisedimeve, shkruan Rt.

Rusia, nga ana e saj, akuzoi Ukrainën dhe BE-në për kërkesa jo të mundshme dhe sabotim të mundësive për një marrëveshje.

Në tetor, Thesari i SHBA-së vendosi sanksione ndaj dy prej kompanive më të mëdha ruse të energjisë, Rosneft dhe Lukoil.

Në fillim të kësaj jave, Roja Bregdetare e SHBA-së sekuestroi një anije naftëmbajtëse me flamur rus në Atlantikun e Veriut për shkak të pretendimeve për shmangie të sanksioneve, gjë që e shtyu Moskën ta quante operacionin të paligjshëm sipas ligjit ndërkombëtar detar.

Rusia ka pretenduar prej kohësh se objektivi parësor i sanksioneve perëndimore është eliminimi i konkurrencës ekonomike dhe kufizimi i zhvillimit të shteteve të veçanta, në vend që të ndihmojnë Ukrainën.