
Irani mbeti pothuajse i izoluar nga bota të premten, pasi autoritetet ndërprenë internetin në përpjekje për të frenuar protestat në rritje, ndërsa video të publikuara tregonin ndërtesa të përfshira nga flakët në disa qytete të vendit.
Organizatat e të drejtave të njeriut raportojnë dhjetëra të vrarë gjatë gati dy javëve të trazirave, ndërsa media shtetërore iraniane raportoi se disa policë janë vrarë gjatë natës.
Në një fjalim televiziv, Udhëheqësi Suprem Ayatollah Ali Khamenei akuzoi protestuesit se po vepronin në emër të grupeve opozitare në mërgim dhe të Shteteve të Bashkuara, ndërsa një prokuror publik paralajmëroi dënime me vdekje për personat e përfshirë në akte dhune, përcjell Reuters.
Megjithëse protestat nuk kanë përfshirë të gjitha shtresat e shoqërisë, si lëvizjet e kaluara, autoritetet duken më të brishta për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike dhe situatës pas luftës së vitit të kaluar mes Iranit, Izraelit dhe SHBA-së.
Fillimisht të përqendruara te kriza ekonomike, me rënien e monedhës rial në gjysmën e vlerës ndaj dollarit dhe inflacionin mbi 40% në dhjetor, protestat janë shndërruar në thirrje direkte kundër autoriteteve.
Ndërtesa dhe automjete të djegura, internet i ndërprerë
Bllokimi i internetit ka reduktuar ndjeshëm informacionin që del nga vendi, ndërsa telefonatat drejt Iranit nuk funksionojnë. Të paktën 17 fluturime midis Dubait dhe Iranit u anuluan.
Protestat nisën në fund të muajit të kaluar, të nxitura nga tregtarët dhe bizneset e vogla për shkak të inflacionit dhe rënies së kursit të këmbimit, por më pas u përhapën në universitete dhe qytete provinciale, ku të rinjtë u përplasën me forcat e sigurisë.
Televizioni shtetëror publikoi pamje të autobusëve, makinave dhe motoçikletave të djegura, si dhe zjarrvënie në stacione metroje e banka, duke fajësuar për këtë grupin opozitar të Mujahedinëve të Popullit (MKO), të cilin Irani e konsideron organizatë armiqësore.
Një gazetare e TV shtetëror nga qyteti bregdetar Rasht tha se zona “dukej si një fushë lufte”. Video të verifikuara nga Reuters në Teheran tregonin qindra protestues në marshim, ndërsa dëgjoheshin thirrje si “Vdekje Khameneit!” dhe slogane pro-monarkisë.
Në Zahedan, qytet me shumicë baluche, grupi i të drejtave Hengaw raportoi se protestuesit pas faljes së së premtes u shpërndanë me të shtëna armësh, duke shkaktuar disa të plagosur.
Autoritetet kanë ndjekur një qasje të dyfishtë: duke e cilësuar pakënaqësinë ekonomike si legjitime, por duke e dënuar ashpër dhunën dhe duke shtuar praninë e forcave të sigurisë.
Khamenei paralajmëron protestuesit, prokurori kërcënon me dënime me vdekje
Presidenti Masoud Pezeshkian kishte kërkuar javën e kaluar një qasje më të butë, ndërsa qeveria njoftoi stimuj financiarë për të zbutur varfërinë në rritje. Por me përhapjen e dhunës, Khamenei përdori një gjuhë shumë më të ashpër.
“Republika Islamike erdhi në pushtet përmes gjakut të qindra mijëra njerëzve të ndershëm. Ajo nuk do të tërhiqet përballë vandalëve,” tha ai, duke akuzuar protestuesit se po kërkojnë të kënaqin Presidentin amerikan Donald Trump.
Prokurori i Teheranit njoftoi se personat që kryejnë sabotime, djegie të pronës publike apo përplasje me forcat e sigurisë do të përballen me dënim me vdekje.
Opozita në mërgim thërret për protesta, Trump distancohet
Grupet e fragmentuara të opozitës së jashtme i kanë bërë thirrje iranianëve të intensifikojnë protestat, ndërsa janë dëgjuar slogane në mbështetje të monarkisë së përmbysur në vitin 1979. Reza Pahlavi, djali i shahut të fundit, postoi një mesazh ku shkruante: “Sytë e botës janë mbi ju. Dilni në rrugë.”
Megjithatë, mbështetja reale për monarkistët ose MKO brenda Iranit mbetet e paqartë.
Presidenti Trump, i cili bombardon Iranin verën e kaluar dhe javën e kaluar paralajmëroi se SHBA “mund të ndihmonte protestuesit”, tha se nuk do të takohej me Pahlavin, duke shtuar se nuk ishte “e përshtatshme” të mbështeste atë grupim.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm Abbas Araqchi deklaroi se rreziku i një ndërhyrjeje ushtarake të huaj është “shumë i ulët”, duke njoftuar se ministri i Jashtëm i Omanit – një ndërmjetës i zakonshëm mes Iranit dhe Perëndimit – pritet të vizitojë Teheranin të shtunën.
Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, tha se është “thellësisht i shqetësuar” nga dhuna dhe bllokimi i komunikimeve.
Irani ka përballuar disa valë të mëdha trazirash gjatë dekadave të fundit, përfshirë protestat studentore të 1999, pakënaqësitë pas zgjedhjeve të 2009, protestat e vitit 2019 dhe lëvizjen “Grua, Jeta, Liria” pas vdekjes së Mahsa Amini në vitin 2022.