
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka sekuestruar një cisternë me flamur rus dhe të lidhur me Venezuelën, duke zgjeruar më tej fushatën e tij agresive për të diktuar rrjedhën e naftës në Amerikë dhe për ta detyruar qeverinë socialiste të Caracas-it të bëhet aleate e SHBA-ve.
Sipas autoriteteve amerikane, cisterna Marinera, që muajin e kaluar u largua nga bllokada, refuzoi të lejonte hipjen në bord të autoriteteve dhe më pas kaloi nën flamurin e Rusisë gjatë ndjekjes dyjavore në Atlantik,u kap nga rojet bregdetare dhe ushtria amerikane, sipas Reuters.
Cisternës iu afruan edhe një nëndetëse dhe mjete detare ruse, duke rritur rrezikun e tensioneve të mëtejshme me Moskën, e cila ka dënuar veprimet e SHBA-së.
Media shtetërore ruse RT publikoi pamje të një helikopteri amerikan që qëndronte mbi Marinera-n, e njohur më herët si Bella-1.
Zyrtarët amerikanë thanë gjithashtu se një tjetër cisternë e ngarkuar me naftë venezueliane, Sophia, u ndalua pranë brigjeve verilindore të Amerikës së Jugut – rasti i katërt i këtij lloji javët e fundit.
Kina dënon SHBA-në: “Veprime të tipit bullizues”
Administrata Trump po negocion edhe një marrëveshje me Venezuelën që do të devijonte furnizimet e Caracas-it nga Kina – blerësi kryesor i naftës venezueliane dhe do të lejonte importimin e deri në 2 miliardë dollarë naftë nga SHBA-të.
Mao Ning, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme kineze, deklaroi se: “Shfrytëzimi i forcës nga SHBA ndaj Venezuelës dhe kërkesa për ‘America First’ kur bëhet fjalë për burimet e Venezuelës janë veprime tipike bullizuese.”
Trump ka deklaruar hapur se synon kontrollin e rezervave të mëdha të naftës së Venezuelës, në bashkëpunim me kompanitë amerikane të energjisë, pas arrestimit të Maduro-s, të cilin e cilëson si diktator të përfshirë në trafikun e drogës.
Ndërkohë, aleatët e Maduro-s nga Partia Socialiste vijojnë të jenë në pushtet. Presidentja e përkohshme Delcy Rodriguez po ruan një qëndrim delikat mes denoncimit të “rrëmbimit” të Maduro-s dhe nisjes së bashkëpunimit me SHBA-në, nën kërcënimet e hapura nga Trump.
SHBA do të shesë deri në 50 milionë fuçi naftë të bllokuara në Venezuelë
Trump deklaroi se SHBA do të përpunojë dhe shesë deri në 50 milionë fuçi naftë të ngecur në Venezuelë për shkak të bllokadës amerikane.
“Kjo naftë do të shitet në çmimin e tregut dhe paratë do të kontrollohen prej meje, si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të siguruar që të përdoren për të mirën e popullit të Venezuelës dhe të SHBA-ve!” shkroi Trump.
Analistë nga PDVSA thanë se bisedimet po ecin përpara, ndonëse qeveria venezueliane nuk ka bërë njoftime zyrtare.
Çmimet e naftës ranë në tregjet botërore, duke reflektuar rritjen e pritshme të furnizimeve nga plani i Trump.
Operacioni për kapjen e Maduro-s: dhjetëra të vrarë
Detajet e operacionit ende mbeten të paqarta, por dihet se forcat speciale amerikane zbarkuan me helikopter në Caracas gjatë natës së së shtunës, duke kapërcyer sigurinë e Maduro-s dhe duke e arrestuar atë para se të futej në një dhomë të blinduar. Nuk pati viktima nga pala amerikane.
Venezuela nuk ka dhënë një bilanc zyrtar të humbjeve, por ushtria publikoi listën e 23 të vrarëve, ndërsa Kuba njoftoi për 32 viktima nga radhët e personelit të saj ushtarak dhe të inteligjencës.
Maduro, 63 vjeç, u paraqit të hënën në një gjykatë federale në Manhattan, i lidhur me zinxhirë në kyçet e këmbëve, i veshur me uniformë burgu, duke mohuar akuzat për narkotrafik.
Opozita e Venezuelës në pritje
Liderja kryesore e opozitës, Maria Corina Machado, e cila shkoi e maskuar për të marrë Çmimin Nobel për Paqen në tetor, shpreson të kthehet në vend dhe thotë se opozita do të fitonte bindshëm në zgjedhje të lira.
Por ajo po tregohet e kujdesshme të mos përplaset me Trump, duke thënë madje se do t’i dorëzonte vetë atij çmimin Nobel, të cilin ia dedikoi publikisht.
Ndërkohë, SHBA ka paralajmëruar zyrtarët e lartë venezuelianë se duhet të bashkëpunojnë, përndryshe rrezikojnë të përfundojnë si Maduro.
Ministri i brendshëm Diosdado Cabello është veçanërisht në fokus për shkak të akuzave për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.