
Deputeti i partisë Mundësia, Erald Kapri, ka reaguar ashpër lidhur me çështjen Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar heqjen e imunitetit, duke hapur rrugën për arrestimin e ish-ministres së Infrastrukturës.
I ftuar në programin e drekës në News24 me Ola Brukon, Kapri komentoi edhe thirrjen e kryetarit të partisë së tij, Agron Shehaj, drejtuar deputetëve të PD-së që janë pjesë e Këshillit të Imuniteteve, për të bërë publike detaje nga dosja me 16 000 faqe e Ballukut.
Sipas tij, mazhoranca ka shkelur ligjin duke mos e bërë dosjen transparente.
Kapri deklaroi se qytetarët duhet të njihen me faktet dhe të vërtetat e aferave, duke përmendur zërat që qarkullojnë për pasurinë e dyshuar të Ballukut: “300 apartamente, 2 jahte dhe shumë të tjera”.
Deputeti akuzoi kryeministrin Edi Rama për marrëveshje dhe bashkëpunim me Partinë Demokratike, përfshirë ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ndërsa shtoi se përpjekjet për bllokimin e dosjes Balluku synojnë t’i japin Ramës kohë.
“Është jo vetëm precedent i rrezikshëm, por betejë e Ramës për të shpëtuar veten. Nuk na bëhet e ditur asgjë. Ka fjalë për 300 apartamente, dy jahte, dhe ne nuk dimë asgjë. E kuptojmë se kjo bëhet që Edi Rama të fitojë më shumë kohë sepse rruga e tij e rrokullisjes politike ka nisur tashmë.” – tha Kapri.
Ai shtoi se pesë deputetët e opozitës në Këshillin e Imuniteteve duhet të gjejnë mënyrën që dosja të bëhet publike:
“Duhet të dinë shqiptarët se çfarë ka në atë dosje, si janë abuzuar paratë e tyre.”
Kapri rikujtoi edhe protestën e partisë Mundësia në hyrje të Kryesisë së Kuvendit, duke theksuar se rregullorja u jep të drejtë deputetëve të jenë prezent në mbledhje, pavarësisht se nuk kanë të drejtë vote.
Ai shtoi se vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese po kthehet në “barrierë”, por theksoi se ekziston “një shans i fundit” në datën 22 janar, duke përmendur praktika ndërkombëtare që lidhen me raste të tilla.