
Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar shembjen e një pjese të kodrës në Gjirokastër, duke bllokuar rrugën që lidh katër lagje të sipërme të qytetit.
Si pasojë e rrëshqitjes së dherave, janë izoluar lagjet Manalat i Parë, Manalat i Dytë, Cfakë dhe Dunavat, ndërsa qarkullimi rrugor drejt këtyre zonave është vështirësuar.
Pamjet tregojnë çarje masive të rrugëve dhe rrëshqitje të mëdha dheu në zonat e prekura, ku një pjesë e kodrës ka rënë duke zënë aksin rrugor.
Dëmet janë kryesisht infrastrukturore, ndërsa deri tani nuk raportohet për persona të lënduar.