Vendosni fjalën kyçe....

Prokuroria Speciale në Kosovë ngre aktakuzë ndaj 21 personave për masakrën e Reçakut, kërkon gjykim në mungesë



Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 21 personave për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, lidhur me masakrën e Reçakut më 15 janar 1999. Sipas aktakuzës, të pandehurit akuzohen se gjatë një operacioni të forcave policore dhe ushtarake serbe në fshatin Reçak të komunës së Shtimes, kanë vrarë 42 civilë shqiptarë.

Prokuroria thekson se gjatë periudhës 1998–1999, të pandehurit, në bashkëkryerje si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Brigadës së 243-të të Mekanizuar të Armatës së Tretë dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, kanë kryer trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile.

Sipas aktakuzës, fshati Reçak ishte rrethuar dhe granatuar nga disa drejtime, ndërsa forcat serbe hynë shtëpi më shtëpi, duke ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët. Gratë dhe fëmijët u dëbuan nga fshati, ndërsa burrat e ndaluar u ekzekutuan. Hetimet kanë vërtetuar gjithashtu përdorim të dhunës fizike dhe maltretim të civilëve. Nga këto operacione, rreth 20 mijë civilë nga fshatrat Reçak, Topillë, Petrovë, Kraisht, Mullapollc dhe Dremjak u dëbuan nga shtëpitë e tyre.

Meqenëse të pandehurit janë të paarritshëm për organet e drejtësisë, Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që procesi gjyqësor të zhvillohet në mungesë, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.

Ky hap është një përpjekje për të sjellë drejtësi për viktimat e masakrës dhe për të dokumentuar përgjegjësinë penale të personave të përfshirë.