Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: 2025-a viti i vjedhjeve e skandaleve të mëdha, Rama, Balluku, AKSHI, Veliaj e manipulimi i zgjedhjeve


Kreu i PD-së Berisha ka uruar shqiptarët për Vitin e Ri 2026.

Në mesazhin e tij, kryedemokrati renditi shpopullimin e vendit, grabitjen e pasurive të shqiptarëve, manipulimin e zgjedhjeve të 11 majit dhe hetimet e SPAK-ut ndaj zyrtarëve socialistë.

Berisha tha se viti 2025 do mbahet mend si viti i zbulimit të vjedhjeve më të mëdha në historinë e vendit nga Rama, Balluku, familja Rama, kryebashkiaku Veliaj e drejtorë e zyrtarë të tjerë të korruptuar.

“Viti 2025 ishte një vit që shqiptarët kurrë nuk e meritonin. Ky vit i gjen ata qytetarët më të keqpaguar në Europë. Qytetarët me tavolinat më të pakta, sepse blejnë me çmimet më të shtrenjta, me rroga më të ulëta, me pensionet më të ulëta. Por ky vit i gjen ata gjithashtu me drejtorët, ministrat, qeveritarët më të pasur në Europë. Pasuritë e tyre marramendëse arrijnë pasuritë e regjimeve diktatoriale të dikurshme të Afrikës së 30 viteve më parë. Viti që lamë pas ishte një vit në të cilin kombi u pakësua dhe më shumë. Mijëra shqiptarë u ndanë nga jeta më shumë sesa erdhën në këtë jetë. Viti 2025 ishte viti i agonisë së plotë të demokracisë shqiptare. Narkodiktatori, duke përdorur të gjitha mjetet dhe potencialet e një shteti, rrëmbeu votën e shqiptarëve dhe ndërtoi mazhorancën e krimit. Viti që lamë pas ishte viti i zjarreve, përmbytjeve më të mëdha, të cilat nuk ndodhën vetëm në Shqipëri, por ato për ne shqiptarët erdhën si në një vend pa shtet.” – tha Berisha.

Më tej kryedemokrati renditi hetimet ndaj zv.kryeministres Balluku për tunelin e Llogarasë e disa tendera të tjerë dhe dosjen AKSHI, të cilën e cilësoi si kopshtin privat të kryeministrit Rama.

“Në fakt, viti 2025 do të mbahet mend edhe si viti i zbulimit të vjedhjeve më të mëdha në historinë kombëtare të shqiptarëve nga Edi Rama, Lubi Balluku, familja Rama, Erjon Veliaj, drejtorët e tij në ministri, në bashki, zyrtarë në tërësi. Ky ishte viti në të cilin u burgos pas 46 protestave, kryetari i Bashkisë Tiranës. Viti në të cilin në regjistrat e prokurorisë, dolën emrat dhe vjedhjet e paimagjinueshme të Lubi Ballukut me 300 apartamente, dy jahte, 15 supermarkete. Emri i Edi Ramës në të gjitha mesazhet si përcaktues i tenderave dhe vetëm në tunelin e Llogarasë u zhdukën të paktën 50 milionë euro. AKSHI, përbën skandalin më të madh korruptiv jo të Shqipërisë, po të Europës. AKSHI, kopshti privat i Edi Ramës, ishte epiqendra e krimit shtetëror, të padëgjuar më parë. Kopshti privat që varej direkt nga Edi Rama, ishte epiqendër e rrëmbimeve, pengmarrjeve për vjedhjen e qindra milionë eurove, në epiqendër të të cilës është Edi Rama me Lindat e tij, Lindën e AKSHI-t, por dhe Lindën e Surrelit për shkak të kunatit. AKSHI është super skandali në të cilin të gjitha të dhënat personale, sekrete të çdo qytetari shqiptar, kaluan në duart e bandave. Kaloi kadastra e shtetit. Kaloi çdo e dhënë.” – shtoi Berisha.