
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur alarmin për atë që e cilëson si paradoksin më të rrezikshëm të ekonomisë shqiptare: rritje statistikore në letër dhe braktisje masive në realitet.
Në një reagim në rrjetet sociale, Tabaku thekson se propaganda për “bum ekonomik” dhe kulla që prekin qiellin nuk përkthehet në mirëqenie për qytetarët, përkundrazi, po shoqërohet me shpopullim të vendit.
Sipas saj, të dhënat tregojnë qartë se modeli aktual ekonomik është i paqëndrueshëm dhe i orientuar drejt fasadës. Ndërsa ndërtimi dhe sektorë të tjerë joprodhues mbajnë artificialisht shifrat e rritjes, shtyllat reale të ekonomisë janë në rënie: bujqësia ka pësuar tkurrje dhe industria po humbet terren.
“Kemi beton, por nuk kemi vende pune reale. Kemi fasada, por jo prodhim,” nënvizon Tabaku, duke paralajmëruar se ky model po ushqen varfërinë dhe pasigurinë sociale.
Deputetja ndalet edhe te pasojat njerëzore të kësaj politike ekonomike. Në qytete si Berati, thekson ajo, emigracioni ka prekur shumicën dërrmuese të familjeve, ndërsa edhe Tirana nuk është më një destinacion shprese, por një stacion i përkohshëm tranziti.
Kostoja e lartë e jetesës dhe pagat e ulëta po i detyrojnë qytetarët të largohen, edhe pasi kanë tentuar të ndërtojnë jetën në kryeqytet.
Një tjetër element shqetësues, sipas Tabakut, është dështimi i shtetit për të mbajtur edhe ata që kthehen. Emigrantët që rikthehen me kursime dhe përvojë përballen me burokraci, korrupsion dhe tregje të mbyllura, duke u detyruar të largohen sërish.
“Shqipëria sot nuk arrin të mbajë as ata që e duan më shumë,” shprehet ajo.
Në përfundim, Tabaku thekson se zbrazja e Shqipërisë është aktakuza më e rëndë ndaj qeverisjes aktuale. Sipas saj, vendi ka nevojë urgjente për një ekonomi që prodhon, që mbështet fermerin, industrinë dhe punën e ndershme, dhe jo për një model të bazuar te sezonaliteti dhe betoni.
“Asnjë prezantim propagandistik nuk e fsheh dot faktin që tavolinat e shqiptarëve po mbeten bosh,” përfundon ajo, duke kërkuar një ndryshim rrënjësor të kursit ekonomik në funksion të shumicës së qytetarëve.