Vendosni fjalën kyçe....

Rusia konfirmon dislokimin e raketave bërthamore Oreshnik në Bjellorusi


Rusia ka deklaruar se raketat e saj Oreshnik, të afta për të mbajtur koka bërthamore, kanë hyrë zyrtarisht në shërbim aktiv në Bjellorusi, aleaten e saj fqinje që ndan kufij edhe me vendet anëtare të NATO-s, Poloninë, Lituaninë dhe Letoninë.

Ministria ruse e Mbrojtjes publikoi të martën një video ku shfaqen njësi të pajisura me sistemin raketor Oreshnik, të transportuara në zona të pyllëzuara në Bjellorusi dhe të kamufluara me rrjeta mbrojtëse, përcjell The Guardian.

Edhe autoritetet bjelloruse konfirmuan zhvillimin, duke deklaruar se “divizioni i raketave Oreshnik ka nisur kryerjen e detyrave të gatishmërisë luftarake në zona të përcaktuara të vendit”.

Presidenti rus Vladimir Putin ka pohuar më herët se këto armë janë “të pamundura për t’u interceptuar”, pasi, sipas tij, raketat arrijnë shpejtësi mbi 10 herë më të larta se shpejtësia e zërit.

Ekspertët perëndimorë vlerësojnë se dislokimi i tyre në Bjellorusi mund t’i lejojë Moskës të godasë objektiva europiane më shpejt, për shkak të afërsisë gjeografike.

Raketat Oreshnik konsiderohen armë me rreze të mesme veprimi, me një shtrirje deri në rreth 5.500 kilometra, çka nënkupton se ato mund të godasin pothuajse çdo objektiv në Europë, si dhe pjesë të bregut perëndimor të Shteteve të Bashkuara, në varësi të pikës së nisjes.

Në pamjet e publikuara nuk specifikohet vendndodhja e saktë e bazave në Bjellorusi, por dislokimi i sistemeve në zona të izoluara dhe të kamufluara ka shtuar shqetësimet për një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve mes Rusisë dhe NATO-s, në një kohë kur lufta në Ukrainë vijon dhe retorika mes palëve mbetet e ashpër.