
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot në Tiranë një takim me anëtarë dhe drejtues të strukturave të Partisë Socialiste, në kuadër të aktiviteteve të organizuara për fundvitin.
Takimi u mbajt me pjesëmarrjen e strukturave lokale të PS-së në kryeqytet, ndërsa Rama mbajti një fjalë përpara të pranishmëve, ku u ndal te roli i anëtarësisë dhe mbështetësve të partisë në nivele të ndryshme angazhimi. Gjatë fjalës së tij, ai ngriti dolli për familjet e socialistëve, për gratë dhe vajzat e pranishme, si dhe për anëtarët që kontribuojnë në strukturat e partisë.
“Dua të bëj një shëndet shumë të ndjerë dhe vëllazëror për të gjitha familjet tuaja. Të dytin dua ta bëj për të gjitha vajzat dhe gratë që janë këtu dhe shëndetin e tretë dua ta ngre për të gjithë ata që janë mbështetës, pra jo për ata që janë në vijën e parë, për ata që janë në vijën e dytë, në vijën e tretë, që janë kryetarë partie, që janë kryetarë organizatash”, u shpreh Rama.
Kryeministri vlerësoi gjithashtu punën e strukturave të Partisë Socialiste në Tiranë gjatë vitit që po mbyllet. Pamje nga takimi u publikuan edhe në rrjetet sociale nga vetë Rama, ku u pasqyrua organizimi dhe pjesëmarrja në aktivitetin e fundvitit.