Vendosni fjalën kyçe....

Këshilli i Ministrave miraton shtesën e pensionit të posaçëm dhe fondet për rindërtim



Këshilli i Ministrave ka miratuar këtë të martë një vendim për dhënien e shtesës së pensionit të posaçëm shtetëror për 13 qytetarë, në shenjë vlerësimi dhe mbështetjeje nga shteti. Përfituesit do të marrin një shtesë në masën e dhjetëfishit të pensionit social. Ndër emrat e përfituar janë: Agim Nuri Bajko, Agustin Pjetër Kola, Aishe Daut Stari, Edera Kabil Alibegaj, Kostandin Aleko Kamberi, Kostandin Llazar Shkurti, Kujtim Rexhep Vorpsi, Leonard Sifi Toska, Nikolin Luigj Gurakuqi, Rapo Selman Tao, Shegushe Hysni Bebeti, Vasillaq Thoma Ruci dhe Virxhil Athanas Karaja.

Po ashtu, Këshilli i Ministrave miratoi në parim disa marrëveshje ndërkombëtare, përfshirë ndryshimin e marrëveshjes me Gjermaninë për shmangien e tatimit të dyfishtë, bashkëpunimin me Azerbajxhanin kundër krimit dhe projektin “Green Vjosa” për zhvillim rajonal të qëndrueshëm në zonën e Parkut Kombëtar të Vjosës.

Një tjetër vendim i miratuar është krijimi i bazës së të dhënave shtetërore të Sistemit të Menaxhimit të Informacionit të Arsimit të Lartë (SMIAL), me administrim nga Qendra e Shërbimeve Arsimore.

Këshilli i Ministrave ka vendosur gjithashtu përdorimin e fondeve të rindërtimit për financimin e banesave individuale të dëmtuara, në shumën 37.2 milionë lekë, si dhe për rindërtimin e shkollës së mesme të bashkuar “Ramazan Karaj” në Bashkinë Krujë, në shumën 315.4 milionë lekë pa TVSH.