
Gjykata e Apelit të Tiranës ka hequr sekuestron mbi pronat e dy biznsmenëve Elman Abule dhe Kristian Boçi, duke prishur vendimin e marrë nga gjykata e Tiranës më herët.
Në një komunikim zyrtar, thuhet se mbi bazën e ankimit që kanë bërë personat nën hetim, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka vendosur:
“Prishjen e vendimit dhe kthimin e çështjes për rigjykim me tjetër trup gjykues…”
Gjithashtu mbi bazën e rekursit të bërë nga të hetuarit, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka vendosur “Mospranimin e rekursit…”
Më pas kërkesa e prokurorisë për vendosjen e sekuestros e kthyer për rigjykim i është caktuar me short elektronik gjyqtarit Altin Abdiu, i cili në zbatim dhe të orientimeve të vendimit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë në përfundim të gjykimit në “Dhomë këshillimi” ka vendosur, rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Ky vendim i gjyqtarit nuk është ankimuar nga prokurorja e çështjes dhe vendimi ka marrë formë të prerë më datë 17.10.2025.
Bazuar në nenin 103, pika 2 e Kodit të Procedurës Penale: “Ndalohet publikimi, qoftë edhe i pjesshëm, i akteve josekrete deri në përfundimin e hetimeve paraprake”. Vendimi ju komunikohet vetëm palëve.