
Një aksident me teleferik në rajonin e Piemontes në Itali ka lënë të paktën gjashtë persona të plagosur, ndërsa rreth 100 të tjerë janë shpëtuar pas mbetjes të bllokuar në mal, bënë të ditur autoritetet lokale për Euronews.
Ngjarja ndodhi të martën rreth orës 11:25, kur dy kabina u përplasën me stacionet e sipërme dhe të poshtme të teleferikut pranë fshatit Macugnaga, sipas shërbimit italian të zjarrfikësve. Pas aksidentit, pistat e skive në zonë u mbyllën dhe funksionimi i teleferikut u pezullua.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë Shërbimi Civil i Shpëtimit Alpin, policia dhe zjarrfikësit, të cilët ndihmuan në evakuimin e personave të bllokuar, kryesisht turistë. Për operacionin e shpëtimit u përdorën edhe helikopterë.
Drejtori menaxhues i operatorit të teleferikut, Macugnaga Trasporti e Servizi, Filippo Besozzi, deklaroi se njëra nga kabinat nuk kishte ngadalësuar siç pritej dhe kishte goditur një barrierë të stacionit. “Fatmirësisht nuk ka lëndime serioze, jeta e askujt nuk është në rrezik. Ka një burrë 59-vjeçar me një plagë në krah. Të tjerët kanë pësuar gërvishtje të lehta”, u shpreh ai.
Teleferiku i Macugnaga-s është ndërtuar në vitin 1962 dhe është rinovuar në vitin 2023, me zëvendësimin e motorëve dhe kabinave, në një investim prej rreth 2 milionë eurosh.
Në vitet e fundit, në Itali janë regjistruar disa aksidente të rënda me teleferikë. Rasti më i fundit ndodhi në muajin prill, kur katër persona humbën jetën pranë Castellammare di Stabia.