
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara kanë pranuar t’i ofrojnë Ukrainës garanci “të forta” sigurie për një periudhë 15-vjeçare, por ka pranuar se çështja e së ardhmes së rajonit lindor të Donbasit mbetet ende e pazgjidhur, pas takimit dyorësh që zhvilloi të dielën me presidentin amerikan Donald Trump në Florida.
Duke folur gjatë kthimit drejt Europës, Zelensky tha se Kongresi amerikan dhe Parlamenti i Ukrainës do të votojnë së bashku mbi angazhimet e SHBA-së, të cilat përbëjnë një pjesë kyçe të një plani paqeje me 20 pika, të diskutuar me Trump në rezidencën e tij Mar-a-Lago, sipas The Guardian.
Garancitë e sigurisë konsiderohen nga Kievi si thelbësore për të frenuar agresionin e mëtejshëm rus në rast të arritjes së një marrëveshjeje paqeje.
Zelensky pranoi se premtimet e mëparshme, përfshirë Memorandumin e Budapestit të vitit 1994, të mbështetur nga SHBA dhe Britania e Madhe, i cili garantonte kufijtë e Ukrainës, “nuk funksionuan”.
Detajet e angazhimeve të reja amerikane mbeten ende të paqarta. Trump ka përjashtuar vendosjen e trupave paqeruajtëse, ndërsa Zelensky tha se prania e monitoruesve ndërkombëtarë në Ukrainën e pasluftës do të ishte forma më e mirë e sigurisë dhe do t’u jepte qytetarëve ndjenjën e sigurisë.
Presidenti ukrainas shtoi: “Ne do të donim vërtet që garancitë të ishin më afatgjata. I thashë [Trumpit] se do të dëshironim të shqyrtonim garanci për 30, 40 apo edhe 50 vjet, dhe kjo do të ishte një vendim historik nga Presidenti Trump. Presidenti tha se do ta mendonte.”
Në një konferencë të përbashkët për shtyp të dielën në mbrëmje, Trump pretendoi se një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës ishte “më afër se kurrë”.
Në realitet, palët mbeten ende larg njëra-tjetrës, pasi Kremlini këmbënguli të hënën se Ukraina duhet të tërheqë trupat e saj nga një “rrip fortesash” qytetesh në rajonin e Donetskut.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se nëse Kievi nuk arrin një marrëveshje, do të humbasë më shumë territor. Ai refuzoi të komentojë mbi centralin bërthamor të Zaporizhjës, të pushtuar nga Rusia që prej pushtimit të plotë të vitit 2022 dhe një tjetër pikë e nxehtë e negociatave.
Zelensky përjashtoi kategorikisht dorëzimin e territoreve ndaj Rusisë.
“Nuk është sekret që Rusia e dëshiron këtë. Në fantazitë e tyre, ata do të donin që ne të mos ekzistonim fare në territorin e vendit tonë,” tha ai.
Në vend të kësaj, ai propozoi krijimin e një zone të çmilitarizuar dhe ekonomike të lirë përgjatë vijës aktuale të frontit, me të dyja palët që tërheqin trupat.
Plani, sipas Zelenskyt, mund t’i nënshtrohet një referendumi kombëtar, nëse Rusia pranon një armëpushim që zgjat të paktën 60 ditë.
Ai e përshkroi një votim të tillë si një “mjet të fuqishëm” dhe si “shprehje të vullnetit të popullit ukrainas”.
Trump zhvilloi të dielën bisedime me liderë europianë përmes një video-thirrjeje nga Mar-a-Lago. Zelensky tha se pritet të takohet me ta në Europë në ditët në vijim, ndërsa një takim i përbashkët pasues me Trump ka gjasa të mbahet në janar, me shumë mundësi në Shtëpinë e Bardhë.
Komentues ukrainas shprehën lehtësim që takimi në Mar-a-Lago nuk përsëriti skenat e shkurtit, kur Trump e nxori Zelenskyn nga Zyra Ovale.
Megjithatë, ata u treguan kritikë ndaj disa deklaratave të Trumpit, përfshirë pretendimin e tij të diskutueshëm se “Rusia dëshiron të shohë një Ukrainë shumë të suksesshme”.
Ata vunë në dukje gjithashtu se presidenti amerikan refuzoi të dënonte sulmin masiv ajror të Rusisë ndaj Kievit gjatë fundjavës, ku u përdorën mbi 500 dronë, duke deklaruar se “edhe Ukraina ka kryer sulme shumë të forta”.
Maria Popova, profesoreshë e asociuar e shkencave politike në Universitetin McGill në Kanada, shkroi në platformën Bluesky se Trump “tingëlloi sërish si një kukull e Putinit” gjatë konferencës në Mar-a-Lago.
Ajo theksoi se Trump kishte zhvilluar një bisedë të gjatë telefonike me Vladimir Putinin pak para takimit me Zelenskyn, duke shtuar se mendja e presidentit amerikan ishte “e mbushur rishtazi me propagandë ruse”.