Vendosni fjalën kyçe....

Vlora pa ujë, banorët në protestë: Ju kemi zgjedhur me vota, i paçit haram o të degjeneruar


Pas katër ditësh pa furnizim me ujë të pijshëm, dhjetëra qytetarë të Vlorës u mblodhën sot para Bashkisë për të protestuar. Të indinjuar nga mungesa e ujit, protestuesit tentuan të futeshin në ambientet e brendshme të bashkisë, duke u përplasur me forcat e policisë që ndodheshin në vendngjarje.

Me bidonë uji në duar dhe duke hedhur letra higjienike në drejtim të efektivëve, qytetarët kërkuan praninë e kryetares së Bashkisë, Brunilda Mersini. 

“Ujë ore ujë. Duam ujë, na latë 5 ditë ore, na ka ngrirë djersa në trup. Po zihemi me fëmijët se duam ujë të lahemi përditë, janë çuna 18 vjeçarë duan të lahen. Po na vjen 2026 dhe jemi pa ujë. Tu vijë turp! Maskarenj. Ju kemi zgjedhur me vota, i paçit haram ato vota i paçit. O të degjeneruar”, u shpreh e indinjuar një protestuese.

 “O hajdutër, o kusarë”, dëgjohet një tjetër protestues.

Një prej protestuesve iu drejtua drejtpërdrejt forcave të policisë:
Ore shef, a keni ujë në shtëpi ju? Duam të vijë kryetarja këtu. Pse nuk del ajo të na japë shpjegin?”

Mes brohoritjeve të vazhdueshme “Duam ujë! Duam ujë!”, qytetarët paralajmëruan se situata po shkon drejt përkeqësimit serioz.
“Të gjitha institucionet shtetërore duhet të marrin masa urgjente. Jemi në një situatë ku prefekti i qarkut duhet të mbledhë shtabin e emergjencave, sepse realisht po shkojmë drejt një epidemie”, tha një tjetër protestues.


Përgatiti për Hashtag.al, Aurora Hoxha