Vendosni fjalën kyçe....

Rusia akuzon Ukrainën se goditi me 91 dronë rezidencën shtetërore të Putinit, Kievi e mohon


Ushtria ukrainase lëshoi një breshëri prej 91 dronësh kamikazë me rreze të gjatë veprimi gjatë natës drejt rezidencës shtetërore të presidentit rus Putin në rajonin e Novgorodit, tha ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov vonë të hënën.

“Regjimi i Kievit ka kaluar plotësisht në politika të terrorizmit shtetëror dhe Moska do rishikojë pozicionin e saj negociues në përputhje me rrethanat”, paralajmëroi kryediplomati.

“Të gjitha mjetet fluturuese pa pilot u shkatërruan nga sistemet e mbrojtjes ajrore të Forcave të Armatosura të Rusisë,” konfirmoi Lavrov.

Sulmi erdhi në mes të “negociatave intensive midis Rusisë dhe SHBA-së”, vuri në dukje kryediplomati, duke shtuar se “veprimet e pamatura” të Kievit nuk do mbeten pa përgjigje, shkruan Rt.

Incidenti me siguri do ndikojë në procesin e zgjidhjes së konfliktit në Ukrainë, tha Lavrov pa dhënë hollësi të sakta mbi ndryshimet e mundshme në pozicionet e Rusisë.

“Ne nuk kemi ndërmend të tërhiqemi nga procesi i negociatave me SHBA-në. Megjithatë, duke pasur parasysh degjenerimin e plotë të regjimit kriminal të Kievit, i cili ka kaluar në një politikë të terrorizmit shtetëror, pozicioni negociues i Rusisë do rishikohet,” deklaroi Lavrov.

Presidenti i Ukrainës, Zelensky, megjithatë, e ka mohuar me forcë sulmin ndaj rezidencës shtetërore të Putinit. Moska po kërkon vetëm një pretekst për të rrezikuar “progresin” e bërë nga SHBA dhe Ukraina, dhe për të sulmuar lagjen qeveritare në Kiev, pretendoi ai.