Vendosni fjalën kyçe....

Dita e pestë pa ujë të pijshëm në Vlorë, banorët protestojnë dhe ndërpresin aktivitetin e Bashkisë



Qytetarët e Vlorës po përballen për të pestën ditë radhazi me mungesën e furnizimit me ujë të pijshëm, situatë që ka shkaktuar pakënaqësi dhe revoltë të gjerë, veçanërisht në prag të festave të fundvitit.

Mbrëmjen e djeshme, tensionet kulmuan me një protestë të organizuar në ambientet e Teatrit “Petro Marko”, ku Bashkia e Vlorës po zhvillonte një aktivitet festiv për punonjësit e saj. Banorët u mblodhën aty dhe ndërprenë shfaqjen, duke kërkuar zgjidhje të menjëhershme për mungesën e ujit.

“Duam ujë”, ishte thirrja kryesore e protestuesve, ndërsa pati edhe momente tensioni me efektivët e policisë që ishin angazhuar për sigurinë e aktivitetit.

Protestuesit kanë paralajmëruar se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre dhe kanë njoftuar një tjetër protestë ditën e nesërme, në orën 10:00, përpara godinës së Bashkisë së Vlorës.

Ndërkohë, drejtori i Ujësjellësit të Vlorës, Ermal Murati, ka bërë me dije se defekti ende nuk është riparuar plotësisht, por se po punohet për gjetjen e rrugëve alternative për furnizimin e qytetarëve me ujë gjatë orëve të pasdites.

Murati theksoi gjithashtu se për institucionet me rëndësi të veçantë janë siguruar zgjidhje alternative, ndërsa ndërhyrja për riparimin përfundimtar të rrjetit vijon.