Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi i përgjigjet Kushtetueses: Sqaroni shqiptarët pse iu nënshtruat presionit të Ramës e po pengoni drejtësinë


Kreu i grupit parlamentar të PD-së i është përgjigjur Gjykatës Kushtetuese, pas reagimit të kësaj të fundit lidhur me kërkesën e kryeministrit Rama mbi pezullimin e zv.kryeministres Balluku nga gjykata.

Bardhi shkruan se shpjegimi i vetëm që Gjykata Kushtetuese duhet t’u japë shqiptarëve është shpjegimi pse iu nënshtrua presionit të kryeministrit. Ai shton se Kushtetuesja duhet gjithashtu të tregojë argumentet kushtetuese për pezullimin e një vendimi gjyqësor penal naj Ballulur e akuzuar për mbi 1 miliard dollarë abuzime me tenderat.

“I vetmi shpjegim me vlerë për publikun që duhet të japë Gjykata Kushtetuese është ky: cilat qenë arsyet dhe motivet që e çuan t’i nënshtrohej presionit të Kryeministrit në çështjen Balluku, duke treguar papërgjegjshmëri dhe mungesë të theksuar integriteti. Sqarimi i kësaj rrethane do ta çlironte Gjykatën Kushtetuese nga pengmarrja politike dhe do t’i zvogëlonte hendekun e mosbesimit tek kjo gjykatë.

Po ashtu, do të bënin mirë që të shkruanin po kaq gjatë sa sqarimi për publikun, edhe argumentet kushtetuese për pezullimin e një vendimi gjyqësor penal, me efekt individual, me kërkesë të një institucioni kushtetues, siç është Kryeministri! Deri më sot, s’kanë dhënë asnjë argument kushtetues, përveç idiotësisë kushtetuese se lufta e sistemit të drejtësisë ndaj korrupsionit cënon interesat shtetërore më shumë se vetë korrupsioni qeveritar në një aferë 1.1 miliard euro.” – shkruan Bardhi.

Demokrati shton se Gjykata Kushtetuese duhet gjithashtu të sqartojë qytetarë pse përdor dy standarde në punën e saj. Bardhi e mbyll teksa shkruan se Rama ka marrë peng disa anëtarë të Gjykatës Kushtetuese duke penguar drejtësinë.

“Njësoj e domosdoshme për besueshmërinë e Gjykatës Kushtetuese mbetet sqarimi  për dy standardet e ndjekura: se pse 1/5 e deputetëve nuk legjitimohen për të kërkuar interpretim për masat ndaj një deputeti, ndërsa Kryeministri legjitimohet për të kërkuar interpretim për masat ndaj një ministri.

Kur t’i kenë sqaruar këto, mund të bëjnë edhe një deklaratë përgënjeshtruese ndaj vetes dhe presionit të jashtëzakonshëm që Kryeministri po ushtron për  këtë çështje! Dhe, pasi t’i kenë bërë të gjitha këto, ne të tjerët, s’do të kemi nevojë të dalim dhe t’u themi shqiptarëve një të vërtetë të madhe: që, përmes pengmarrjes së disa anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Edi Rama po tenton të pengojë drejtësinë dhe të marrë në mbrojtje korrupsionin qeveritar.” – mbyll Bardhi.