Vendosni fjalën kyçe....

Ahmeti mesazh urimi Kurtit për fitoren: Kosova të forcojë aleancën e saj me SHBA dhe BE


Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka ndarë një mesazh urimi për fitoren e Albin Kurtit.

Ahmeti shprehet se Kosova duhet të ecë përpara me hapa të sigurt dhe se duhet që të forcojë aleancën e saj me SHBA dhe BE.

Stabiliteti dhe zhvillimi në shërbim të qytetarëve të vendit është i rëndësishëm për Kosovën, thotë më tej Ahmeti.

 

Reagimi:

I përgëzoj qytetarët e Republikës së Kosovës për procesin zgjedhor në të cilin dëshmuan maturi dhe pjekuri të lartë demokratike. U zhvillua një proces i lirë, i ndershëm dhe plotësisht demokratik, në përputhje me standardet evropiane, duke konfirmuar forcën e institucioneve dhe vullnetin e lirë të qytetarëve të Kosovës.

Urime Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryeministrit Albin Kurti për fitoren e shënuar! Kosova ka nevojë për stabilitet, zhvillim dhe vizion të qartë shtetëror, në shërbim të qytetarëve të saj.

Si dikush që ka dhënë kontribut për lirinë e Kosovës dhe që beson thellë në të ardhmen e saj, dëshiroj që Kosova të ecë përpara me hapa të sigurt, duke forcuar aleancën e saj strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian. Kjo është rruga që garanton paqe, zhvillim dhe një të ardhme të sigurt për brezat që vijnë.

Kosova e lirë, e fortë dhe e zhvilluar, ka qenë dhe mbetet ëndrra jonë e përbashkët!