Vendosni fjalën kyçe....

Rënia e baronit të drogës në Liban


Ndërsa po tërhiqej nga bishti i tij i thinjur i flokëve drejt një makine ushtarake, lordi më i famshëm i drogës në Liban dukej pothuajse i acaruar.

Noah Zaitar u ngjit në pushtet në krye të një perandorie të marijuanës pa u përballur kurrë me arrestimin, pavarësisht se ishte i hapur për biznesin e tij – përfshirë edhe në televizion. Ai u bë simbol i shtetit të dobët qendror të Libanit dhe sistemit të drejtësisë selektive. Por, ndërsa gati dy dekada të pandëshkueshmërisë pompoze erdhën në fund, ai tregoi pak nga stili i tij i zakonshëm.

“Djema, djema,” u tha Zaitar operativëve të maskuar të inteligjencës që e kishin rrethuar në skaj të një qyteti thellë në Luginën Bekaa të Libanit lindor, sipas llogarive të zyrtarëve të sigurisë dhe pamjeve të rishikuara nga Financial Times.

“Mbarojeni këtë punë.”

Nëse ai dukej i palëvizshlëvizshëm, kjo ndodhte sepse Zaitar mund ta kishte ndier pritën që po vinte.

Kapja e tij muajin e kaluar ishte pjesë e një fushate gjithëpërfshirëse në të cilën forcat libaneze të sigurisë kanë arrestuar ose vrarë një gjysmë duzinë të lordeve më të fuqishëm të drogës në vend, të cilët ishin parë prej kohësh si të paprekshëm.

Zyrtarët e inteligjencës thonë se po synojnë krerët dhe rrjetet e tyre në një aksion – të nxitur nga presioni ndërkombëtar – për të çmontuar industrinë e trafikimit të drogës në Liban, pasi rënia e regjimit të Bashar al-Assad në Siri në vitin 2024 ndërpreu rrugët e arratisjes dhe linjat e kontrabandës.

Noah Zaitar u ngrit në pushtet në krye të një perandorie marijuane pa u përballur kurrë me arrestimin, pavarësisht se ishte i hapur për sipërmarrjen e tij

Kjo vjen gjithashtu ndërsa qeveria libaneze, e betuar pasi lufta shkatërruese e grupit militant Shia, Hezbollah, me Izraelin përfundoi në vitin 2024, kërkon të vendosë kontrollin mbi një vend ku partitë sektare dhe milicitë kanë rivalizuar shtetin për dekada.

Por Lugina Bekaa është margjinalizuar prej kohësh nga qeveria. Dhe në një rajon ku baronët e drogës kanë përdorur mungesën e shtetit për të ndërtuar ndikim përmes rrjeteve të patronazhit dhe ku shumë njerëz mbështeten te kultivimi i kanabisit për jetesën e tyre, banorët paralajmërojnë se vetëm forca nuk do e mbajë larg tregtinë e narkotikëve.

“Disa krerë të mëdhenj u prenë,” tha Said Gedeon, i cili drejton zhvillimin bujqësor në dhomën e tregtisë së Luginës Bekaa. Por, Gedeon shtoi se Zaitar “po zinte vendin e shtetit; ai ishte si një sponsor për këta njerëz”.

Mbrojtja e Zaitar shihej gjerësisht si e rrënjosur te Hezbollahu

Goditja do linte boshllëqe në sistemet e patronazhit të trafikantëve, të cilat qeveria do të duhej t’i plotësonte, thanë vendasit dhe ekspertët, për të shmangur kthimin e njerëzve në ekonominë e paligjshme nga dëshpërimi. Hezbollahu gjithashtu drejton rrjete të mirëqenies në këtë rajon të lënë pas dore.

“Nuk mund t’i lini njerëzit në zbrazëtirë,” tha Gedeon.

“Duhet të krijoni një alternativë për ta. Dhe kjo duhet të bëhet shpejt.”

Një tabelë në fshatin Kneiseh, ku u arrestua Zaitar, la të kuptohej fushëveprimi i goditjes në Bekaa. Mbi një pamje të Abbas Ali Saadoun Zaitar, i cili besohet se ka drejtuar një perandori kokaine para se të vritej në një sulm ajror ushtarak libanez në gusht, shkruhej: “Nuk kanë mbetur më burra të vërtetë.”

“Jetove si luan dhe vdiqe si luan,” shkruhej në një tabelë tjetër kushtuar Ali Monther Zaitar, i njohur si një nga lordët më të fuqishëm të drogës në rajon para se të vritej në të njëjtin sulm, i cili erdhi pasi trafikantët u përleshën me forcat tokësore gjatë një bastisjeje.

Noah Zaitar, i cili rrjedh nga i njëjti fis i gjerë si dy burrat e tjerë – një nga familjet më të mëdha Shia në lindje të Libanit – filloi si fermer kanabisi përpara se të shndërrohej në “mbretin” më të njohur të Libanit gjatë dy dekadave të fundit.

Ai drejtoi një perandori të ndërtuar mbi marijuanën dhe punoi me regjimin e Assad-it për të kontrabanduar drogë, përfshirë stimuluesin Captagon, sipas vlerësimeve të inteligjencës libaneze. Në vitin 2023, Thesari i SHBA-së vendosi sanksione ndaj Zaitar, duke thënë se ai kishte lidhje të ngushta me Divizionin e Katërt të ushtrisë siriane të drejtuar nga vëllai i Assad-it.

I besuar se kishte nën kontroll hektarë me tokë bujqësore të kanabisit, ai lëvizte me një eskortë të armatosur dhe mbante të paktën tri shtëpi në Liban, duke përfshirë një vilë të bardhë me kolona të stilit romak të rrethuar nga pisha.

Ndërsa operacioni i tij i drogës rritej, u rrit edhe profili i tij publik bashkë me ndjenjën e pandëshkueshmërisë. Në një raport lajmesh karakteristik në një kanal rajonal, Zaitar udhëheq një gazetar vizitor nëpër fushat e kanabisit, duke shpjeguar se ajo parcelë do sillte 1.5 milion dollarë.

Në një shembull tjetër të qartë, Zaitar në vitin 2018 u shfaq krah ministrave të qeverisë kombëtare të lidhur me Hezbollahun dhe Amal-in (një parti aleate), në një takim në Baalbek për kandidatët elektoralë të atyre partive, sipas një raporti televiziv.

Deri në kohën kur u kap, Zaitar ishte bërë aq me ndikim sa forcat libaneze të sigurisë kishin frikë ta vrisnin. Ata e projektuan pritën e tij për të shmangur përleshjet brenda fshatrave, shpjegoi një zyrtar i inteligjencës: “Nuk donim të akuzoheshim se e vramë atë.”

Një pjesë e kësaj erdhi nga pamja që Zaitar kishte ndërtuar rreth vetes, duke u bërë i njohur për shpërndarjen e ndihmave dhe pagesën e shërbimeve si arsimi dhe benzina në komunitetet e varfra të Bekaa-s ku ai operonte.

Ato favore e lejuan Zaitarin të shpërndante fitimet e tij mes fisit të tij të gjerë – një strukturë sociale që është e pazakontë në Liban, por e përhapur në Bekaa-n lindore – anëtarët e të cilit arrijnë në dhjetëra mijëra, tha Mohanad Hage Ali nga Qendra Carnegie në Bejrut. Favoret ishin të dobishme, tha ai, “sepse fisi yt është mbrojtja jote”.

Një anëtar i Degës së Informacionit të Libanit qëndron pranë çantave me pilula të sekuestruara Captagon

Qasja klienteliste e Zaitar është e zakonshme mes trafikantëve të drogës në Bekaa. Një zyrtar lokal në fshatin Yammouneh shpjegoi se si ai vepronte si ndërmjetës midis zgjedhësve të tij dhe baronëve të drogës të zonës, të cilët shpërndanin favore ekonomike.

Zyrtari, Jamal Shreif, tha: “Të gjithë shitësit e mëdhenj janë kështu. Në fshatin tonë, nëse dikush ka nevojë për një operacion që kushton 100,000 dollarë, kush do paguajë?”

Në një dhomë të ngrohur nga një sobë gize dhe e dekoruar me jastëkë dhe postera të udhëheqësit të ndjerë të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, Shreif shtoi: “Unë shkoj, personalisht, te shitësit e mëdhenj dhe u them: ‘Dua këtë shumë’ dhe ata përgjigjen…‘Po, asnjë problem.’”

Për vite me radhë, shteti i la shumë krerë të qetë mes asaj që banorët e shihnin si një mozaik aleancash mes trafikantëve dhe politikanëve apo partive. Vetë mbrojtja e Zaitar shihej gjerësisht se buronte nga Hezbollahu.

Zaitar nuk i përkiste organizatës, por u rreshtua me të dhe mbajti lidhje pragmatike me përfaqësuesit lokalë, thanë zyrtarët e inteligjencës dhe analistët. Ai madje pozoi për foto në pozicionet ushtarake të Hezbollahut matanë kufirit në Siri, kur grupi militant ndërhyri për të mbështetur regjimin e Assad-it gjatë luftës civile siriane, sipas pamjeve të qarkulluara në mediat libaneze dhe të konfirmuara nga një avokat i Zaitar në një intervistë televizive.

Zyrtarët libanezë të inteligjencës mohuan që Hezbollahu t’i kishte penguar ata të arrestonin Zaitarin. Ata thanë se ishte rënia e regjimit të Assad-it ajo që lejoi forcat e sigurisë t’u afroheshin baronëve të drogës. Por një zyrtar ilustroi se si mbulimi politik për të arratisurit ishte normalizuar: ai tha se në vitet e kaluara kishin kontrolluar me Hezbollahun nëse kishte “mbrojtje” për Noah Zaitarin përpara se të tentonin një arrestim.

Përpara arrestimit të tij, Zaitar kishte qindra çështje pezull kundër tij në mungesë, të gjitha në lidhje me “kultivimin, tregtimin dhe promovimin” e drogës, tha avokati i tij Ashraf al-Mousawi. Ai tha se asnjë nga çështjet ekzistuese nuk përfshinte trafikimin ndërkombëtar. Zaitar është në paraburgim dhe së shpejti do përballet me një grup të ri procedurash ligjore, tha Mousawi.

Operativët e inteligjencës thanë se do vijojnë të ndjekin një listë të shitësve të njohur të drogës dhe të gjurmojnë rrjetet e tyre përmes rrëfimeve. Libani është një korridor vendimtar trafikimi për Captagon-in dhe është gjithashtu një nga kultivuesit dhe eksportuesit më të mëdhenj të rrëshirës së kanabisit në Lindjen e Mesme.

Bimët e kanabisit korren në Yammouneh

Zyrtarët libanezë shpresojnë se goditja do ndihmojë në rivendosjen e lidhjeve ekonomike me Arabinë Saudite, e cila ndaloi importet nga Libani në vitin 2021 për shkak të kontrabandës së drogës, dhe do të qetësojë SHBA-në.

Megjithatë, zyrtarët e sigurisë gjithashtu pranuan se nevojitej një qasje e re në një rajon ku ka aq pak mundësi për të siguruar jetesën, saqë edhe zyrtarët lokalë rritin hapur kanabis. Shërbimet si arsimi, kujdesi mjekësor dhe mbështetja bujqësore ishin të nevojshme për të zbehur joshjen nga ekonomitë e paligjshme.

Qeveria ka filluar zbatimin e një ligji të vitit 2020 për të legalizuar kultivimin e marijuanës mjekësore, gjë që mund të ndihmojë në rritjen e fitimeve të fermerëve dhe eliminimin e trafikantëve. Megjithatë, ligji thotë se fermerët nuk duhet të kenë rekorde kriminale për të aplikuar për licencë, gjë që përjashtoi shumicën e kultivuesve në zonë pas viteve të kultivimit të paligjshëm.

Deri atëherë, Shreif tha se fermerët do vijojnë si më parë, duke gjetur klientë të rinj nëse të vjetrit arrestohen. Ai tha se edhe ai ishte një fermer. Pasi vulosi një formular burokratik për një zgjedhës vizitor, Shreif iu përgjigj një videothirrjeje nga një burrë që ai tha se ishte sirian. Ai i tha se do ta telefononte më vonë.

“Ai dëshiron të blejë hashash,” shpjegoi Shreif.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Financial Times