
Intervistë me Sean Sweeney, ekspert irlandez, i angazhuar në rritjen e kapacitetit të eksportit të shërbimeve të kontabilitetit në Shqipëri
Eksporti i shërbimeve të kontabilitetit po shfaqet si një nga mundësitë më premtuese për të diversifikuar ekonominë shqiptare dhe për ta orientuar atë drejt aktiviteteve me vlerë të lartë të shtuar.
Me një fuqi punëtore relativisht të re, kosto konkurruese, njohuri të mira të gjuhëve të huaja dhe një profesion kontabël gjithnjë e më të përafruar me standardet ndërkombëtare, Shqipëria ka potencial real për të hyrë në zinxhirët europianë të shërbimeve financiare dhe të raportimit.
Por ky potencial nuk shndërrohet automatikisht në eksport: ai kërkon modele të qarta biznesi, besueshmëri institucionale, prova konkrete kapacitetesh dhe një strategji të mirëfilltë për hyrjen në tregjet e BE-së.
Në këtë intervistë për Monitor, Sean Sweeney, ekspert irlandez me përvojë në ndërtimin e qendrave ndërkombëtare të shërbimeve financiare dhe i angazhuar në projektin për rritjen e kapacitetit të eksportit të shërbimeve të kontabilitetit në Shqipëri, shpjegon se cilat modele funksionojnë më mirë, çfarë mësimesh mund të nxirren nga vendet e Europës Qendrore dhe Lindore dhe cilat janë hapat konkretë që Shqipëria duhet të ndërmarrë për ta kthyer kontabilitetin nga një profesion vendas në një sektor eksportues konkurrues.
Bazuar në vlerësimin tuaj, cili model ka më shumë potencial për Shqipërinë për ofrimin e shërbimeve të kontabilitetit jashtë vendit dhe pse?
Sa i përket modelit të biznesit, këto qasje nuk janë domosdoshmërisht përjashtuese.
Për shembull, teorikisht, mund të ndërtohet një partneritet me një organizatë profesionale kontabiliteti (Professional Accountancy Organisation – PAO) kyçe në Shqipëri, e fokusuar në trajnime mbi IFRS ose në përgatitjen e pasqyrave financiare sipas IFRS, të synuara për kompani italiane apo praktika kontabiliteti dhe auditimi në Itali.
Mendoj se, për të nisur, duhet ta riformulojmë pak pyetjen dhe të pyesim fillimisht: cilat janë kapacitetet tona në Shqipëri? Çfarë dimë të bëjmë? Ku jemi të fortë dhe ku jemi më pak të fortë? Në cilët sektorë kemi avantazhe, si p.sh. miniera, bujqësia, turizmi etj.?
Nëse kemi “avantazhe konkurruese unike”, cilat janë ato? Cilat janë tregjet për shërbimet që ofrojmë? Si mund të hyjmë në këto tregje dhe çfarë na nevojitet për t’i aksesuar? Cilat tregje janë më të lehta për ne?
Nga përvoja ime profesionale, është thelbësore të jesh në gjendje të demonstrosh kapacitet dhe aftësi konkrete, dhe kjo duhet të bëhet fillimisht në tregun vendas. Duhet të jesh në gjendje të provosh çfarë bën.
Vetëm pasi kjo të jetë konsoliduar, duhet ndjekur një qasje e synuar, për shembull duke iu drejtuar institucioneve shumëpalëshe ose korporatave shumëkombëshe që kanë aktivitet në Shqipëri, aty ku ka kuptim që partnerët ndërkombëtarë të bashkëpunojnë me ty.
Prej andej ndërtohet më tej. Kjo ka qenë përvoja ime profesionale: është e mundur dhe, kur krijohen dy apo tre marrëdhënie dhe programe afatgjata, krijohet momentum. Shpesh është befasuese se sa shpejt përshpejtohet rritja.
Besueshmëria është thelbësore, dhe këtu hyn në lojë roli i PAO-ve, përmes njohjes së tyre nga Federata Ndërkombëtare e Kontabilistëve (International Federation of Accountants – IFAC), përputhshmërisë me SMO-të dhe njohjes ndërkombëtare.
Kjo krijon besueshmëri dhe lehtëson aksesin në treg në kushte të barabarta. Marrëveshjet e njohjes reciproke midis PAO-ve shqiptare dhe atyre ndërkombëtare ndihmojnë gjithashtu në njohjen e ndërsjellë të kualifikimeve dhe standardeve, me kufizimet e zakonshme që lidhen me legjislacionin kombëtar dhe taksimin.
Qasja e Modelit të Qendrës së Shërbimeve të Përbashkëta për menaxhimin e operacioneve financiare të një kompanie (SSC/Hub) është e dobishme sepse demonstron kapacitet, por duhet të jetë reale, e mbështetur nga struktura, sisteme dhe procese që garantojnë funksionimin operativ.
E kuptoj ndjeshmërinë që lidhet me pavarësinë e PAO-ve, por organizata të tjera profesionale ndërkombëtare, si Instituti i Certifikuar i Financave Publike dhe Kontabilitetit (CIPFA – Chartered Institute of Public Finance and Accountancy), kanë arritur të menaxhojnë çështjet e qeverisjes përmes strukturave të mbajtura ose në distancë (“arm’s length”), të cilat mbështesin të ardhurat e nevojshme për rritjen dhe ruajtjen e standardeve arsimore dhe të cilësisë. Pra, kjo është e mundur.
Si krahasohet mjedisi i tregut në Shqipëri me vendet e tjera të Europës Qendrore dhe Lindore që kanë pasur sukses në eksportin e shërbimeve kontabël (p.sh. Rumania, Polonia, vendet baltike)?
Nuk ka dyshim që disa vende të tjera të EQL-së janë më përpara në këtë drejtim. Nga përvoja ime personale, e di se si një kompani shumëkombëshe si Bombardier ka shkëputur disa procese të menaxhimit financiar dhe i ka shpërndarë ato në vende të ndryshme, përfshirë Cluj-in në veriperëndim të Rumanisë.
Duke e marrë Cluj-in si pikë reference, nënsektorët dominues të sektorit privat atje janë ata të lidhur me flukset globale, si outsourcing dhe offshoring. Në periudhën 2008–2018, numri i të punësuarve në këta sektorë u rrit katërfish.
Një sfidë për Cluj-in në vijim, dhe domethënëse edhe për këtë diskutim, është ndikimi i teknologjive në zhvillim dhe i Inteligjencës Artificiale.
Në njëfarë mënyre, fakti që Shqipëria po e nis këtë rrugëtim tani mund t’i japë asaj disa avantazhe, pasi krijohet mundësia për të ndërtuar struktura të reja të bazuara në teknologjitë emergjente, pa varësinë nga sistemet e vjetra të integruara në korporata.
Cilët janë faktorët kritikë të suksesit që një model biznesi të funksionojë në Shqipëri?
Faktorët kritikë të suksesit, jo vetëm për Shqipërinë, janë një ofertë shërbimi e qartë, prova konkrete e kapacitetit dhe aftësive, si dhe konsistencë, besueshmëri dhe kontroll i cilësisë së ofrimit të shërbimit.
Këto elemente ndërtojnë besimin e vazhdueshëm të klientëve. Domosdoshmërisht, kjo mbështetet nga teknologjia, siguria e të dhënave dhe komunikimi i fortë. Biznesi duhet të ketë edhe një identitet të qartë (“personality”), që u lejon klientëve ta lidhin atë me perceptime pozitive. Marketingu dhe rritja vijnë vetëm pasi këto baza të jenë vendosur.
Në kontekstin e outsourcing-ut ndërkombëtar, është e rëndësishme të theksohen aspektet pozitive të Shqipërisë dhe ndikimi i tyre në modelin e biznesit: popullsi e re, rëndësi shoqërore e arsimit, zhvillimi dhe pjekuria e PAO-ve, përparimet në raportimin financiar të korporatave dhe reformat në financat publike, forcë punëtore fleksibile, inovative dhe e orientuar drejt karrierës, ekspertizë sektoriale, ekonomi e hapur dhe lehtësi lidhjesh. Gjithashtu, Shqipëria njihet për mikpritjen, klimën e mirë dhe peizazhin e bukur – elemente që ndihmojnë.
Cilat lloje shërbimesh (intensive në transaksione apo intensive në njohuri) janë më të realizueshme për firmat shqiptare në afat të shkurtër?
Në praktikë, fillon me atë që klientët të kërkojnë të bësh – kjo nuk është një përgjigje cinike. Thjesht ndodh që ndonjëherë duhet të reagosh dhe të marrësh përsipër punë që nuk i kishe parashikuar, gjë që kërkon guxim dhe marrje risku.
Mund të jetë analizë forensike financiare, due diligence apo punë mbi IFRS 16. Mendoj se është mirë të mos thuhet “jo”.
Duke thënë këtë, shërbimet intensive në transaksione janë të përshtatshme për fillim, për sa kohë që janë relativisht afatgjata dhe i lejojnë biznesit të ndërtojë masë kritike dhe rrugë karriere organike për stafin.
Cilat tregje të BE-së paraqesin kërkesën më të fortë dhe barrierat më të ulëta të hyrjes për ofruesit shqiptarë të shërbimeve kontabël?
Faktorët natyrorë si gjuha dhe afërsia gjeografike janë të rëndësishëm. Afërsia fizike me Italinë dhe Greqinë ka peshë. Ka gjithashtu marrëdhënie historike të forta me Gjermaninë, për shkak të migrimit për punë apo studime.
Por kjo është shumëdimensionale: marrëdhëniet midis PAO-ve shqiptare dhe atyre të vendeve të BE-së, marrëdhëniet me kompani që kanë seli në vende të caktuara, marrëdhëniet me Komisionin Europian në Bruksel – të gjitha janë të rëndësishme.
Po aq e rëndësishme është oferta që zhvillohet në Shqipëri dhe mënyra se si ajo promovohet, në aspekt të kapacitetit, kostos dhe shërbimit ndaj klientit.
Një pjesë e këtij procesi do të jetë hartimi i një plani fleksibël dhe jo të kufizuar ndaj vendeve specifike të BE-së, Mbretërisë së Bashkuar apo Zvicrës. A do të ketë një qendër të posaçme të shërbimeve financiare ndërkombëtare, siç nisi Irlanda dikur?
Si ndikon afërsia (avantazhi i nearshoring) në konkurrueshmërinë e Shqipërisë, veçanërisht ndaj Italisë dhe Gjermanisë?
Psikologjikisht ndihmon, por klientët ndërkombëtarë do të jenë pragmatikë. Ata do të fokusohen te siguria e të dhënave, saktësia e lartë, siguria në dorëzim, prova konkrete të kapacitetit dhe, sigurisht, komunikimi i fortë dhe aftësitë gjuhësore në gjuhët e tyre.
Cilat kompetenca dhe certifikime (IFRS, ISA, ISO 27001, përputhshmëria me GDPR) janë më kritike për hyrjen në treg?
Të gjitha janë të rëndësishme, por do të theksoja veçanërisht rëndësinë ndërkombëtare të sigurisë së të dhënave, GDPR dhe ISO 27001. Klientët e ardhshëm do t’i testojnë seriozisht këto aspekte dhe do të presin kryerjen e DPIA-ve të forta (Data Protection Impact Assessments).
Çfarë boshllëqesh ekzistojnë në fuqinë punëtore kontabël në Shqipëri dhe si mund të adresohen ato në mënyrë efikase?
Mendoj se çështja kryesore lidhet me kapacitetin fillestar dhe numrin e madh të organizatave shumë të vogla në sektor.
Kur fillova ta shqyrtoja këtë çështje në Shqipëri, mendova se mund të nevojitej një qasje inovative, duke kombinuar kapacitetin dhe aftësitë në një model Hub nën kujdesin e një PAO-je, por sigurisht mund të ketë edhe modele të tjera.
Cili është përfitimi potencial ekonomik për Shqipërinë nga një model i suksesshëm i eksportit të shërbimeve kontabël (punësim, të ardhura, mbajtje talentesh)?
Po e them me një fjalë, ndikimi është shumë i madh:
Në jetën time profesionale, Qendra Ndërkombëtare e Shërbimeve Financiare në Irlandë ka qenë transformuese për ndërtimin e kapaciteteve dhe ekspertizës bazë në shërbimet financiare.
Një studim i vitit 2015 identifikoi 400 kompani, me mbi 35,000 të punësuar, që administronin më shumë se 3.2 trilionë euro fonde, duke gjeneruar rreth 2 miliardë euro taksa dhe 2.3 miliardë euro paga dhe shpërblime.