
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka zhvilluar takimin e paralajmëruar me demokratët në qytetin e Shkodrës, ku ka folur hapur për situatën brenda PD-së, pas deklaratave të lidershipit që pretendojnë se ai është vetëpërjashtuar nga partia për shkak të takimeve që ka zhvilluar.
Në fjalën e tij, Salianji theksoi se Partia Demokratike ka nevojë për reflektim të thellë dhe ndryshim real, në mënyrë që të përballet me qeverinë aktuale dhe të rikthejë besimin e qytetarëve.
“Sot duhet të jemi të sinqertë edhe me veten. PD duhet të reflektojë për të rrëzuar Ramën. Shqipëria nuk ndryshon duke kthyer politika të vjetra, figura të konsumuara dhe mentalitete që i kanë zhgënjyer qytetarët vite më parë”, u shpreh Salianji.
Ai nënvizoi se dështimi i së shkuarës lidhet me mungesën e veprimit dhe mbylljen në interesa të ngushta, duke e lidhur këtë me situatën aktuale brenda Partisë Demokratike dhe reagimin e lidershipit ndaj takimeve të tij me strukturat.
“PD ka një statut dhe statuti nuk ka asnjë rast përjashtimi për askënd. Nuk ekziston vetëpërjashtimi. Por përderisa disa zyrtarë dhe punonjës të PD nuk duan që funksionet që mbajnë të mbahen me punë, ata shpikin terma dhe marifete që nuk ekzistojnë”, deklaroi Salianji.
Ai e cilësoi situatën si një përpjekje për “vetëpërfshirje dhe vetë-aktivizim” nga individë që, sipas tij, kanë frikë nga ndryshimi i vërtetë brenda partisë.
Sipas Salianjit, qëllimi i tij mbetet përballja dhe transformimi i PD-së në një forcë politike funksionale dhe përfaqësuese.
“Ne do t’ia dalim deri në fund ta ndryshojmë PD-në. Politika ka dështuar sepse ka harruar se është shërbim dhe jo pronë. Ne jemi këtu jo vetëm për Partinë Demokratike, por për shtetin e së drejtës dhe për politikën e së drejtës”, përfundoi ai.