
Kina ka vendosur sanksione ndaj 20 kompanive amerikane të lidhura me industrinë e mbrojtjes dhe 10 drejtuesve të tyre, një javë pas njoftimit të SHBA-së për një paketë të madhe shitjeje armësh për Tajvanin, përcjell Euronews.
Sipas Ministrisë së Jashtme kineze, sanksionet përfshijnë ngrirjen e pasurive të këtyre kompanive në Kinë dhe ndalimin e individëve dhe organizatave nga kryerja e çdo aktiviteti biznesi me to.
“Ribëjmë të qartë se çështja e Tajvanit është në thelb të interesave kyçe të Kinës dhe përfaqëson vijën e kuqe që nuk duhet të tejkalohet në marrëdhëniet Kinë-SHBA,” thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme kineze të premten.
“Çdo kompani ose individ që merret me shitje armësh për Tajvanin do të paguajë çmimin për veprimet e gabuara,” shtoi deklarata.
Në mesin e kompanive të sanksionuara janë Northrop Grumman Systems Corporation, L3Harris Maritime Services dhe Boeing në St. Louis. Ndër drejtuesit e sanksionuar është edhe Palmer Luckey, themelues i kompanisë Anduril Industries, i cili nuk mund të kryejë më biznese në Kinë dhe i është ndaluar hyrja në vend. Pasuritë e tyre në Kinë janë gjithashtu ngrirë.
Paketa e shitjes së armëve nga SHBA për Tajvanin vlerësohet mbi 10 miliardë dollarë (rreth 8.6 miliardë euro) dhe, nëse miratohet nga Kongresi Amerikan, do të jetë më e madhja në historinë e SHBA-së për territorin e vetëqeverisur.
Kina ka reaguar me zemërim, duke theksuar se Tajvani është pjesë e saj dhe duhet të vijë nën kontrollin e Pekinit. Në vitet e fundit, ushtria kineze ka intensifikuar praninë e saj në hapësirën ajrore dhe ujore rreth Tajvanit, duke zhvilluar stërvitje të përditshme me anije luftarake dhe avionë luftarakë pranë ishullit.