
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama gjatë një takimi me demokratët në qytetin e Korçës, ku ka deklaruar se Ergys Agasi ka vepruar si “zëvendëskryeministër në hije” i mazhorancës aktuale.
Në fjalën e tij, Berisha u ndal te çështja e verës së konfiskuar në banesën e Agasit, duke pretenduar se ajo nuk i përkiste këtij të fundit, por vetë kryeministrit Rama.
Sipas tij, vera me vlerë disa miliona euro është zhdukur pas konfiskimit dhe është transportuar drejt Lundrës, fakt që ai e cilësoi si një provokim të hapur ndaj qytetarëve.
“Ju keni vjedhur, jam kryeministër, ju kam vjedhur dhe do t’ju vjedh. Kjo është filozofia e tyre. Absolutisht do të përmbysim, siç kemi përmbysur shtatoren e Enver Hoxhës,” deklaroi Berisha, duke e krahasuar situatën aktuale me praktika që, sipas tij, ndodhin vetëm në regjime autoritare.
Ai theksoi se emri i Ergys Agasit është lakuar prej kohësh në denoncimet e tij, ndërsa tani, sipas Berishës, është konfirmuar roli i tij si figurë kyçe e pushtetit.
“Ai ishte zëvendëskryeministër në hije, sepse Edi Rama e përdorte për shumicën e krimeve të tij,” u shpreh kreu i PD-së.
Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë për abuzime të rënda financiare përmes institucioneve shtetërore dhe platformave digjitale, duke përmendur shifra të mëdha parash që, sipas tij, kanë përfunduar në llogari private pa asnjë aktivitet real ekonomik.
Në fund të fjalës së tij, Berisha theksoi se opozita është më e vendosur se kurrë për të përballur qeverinë dhe për ta rrëzuar atë, duke e cilësuar situatën aktuale si një provokim të papranueshëm ndaj qytetarëve dhe demokracisë në vend.