
Nga ora 7:00 e mëngjesit deri në 19:00 të mbrëmjes, qytetarët kosovarë që jetojnë jashtë vendit po ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në përfaqësitë diplomatike të Kosovës. Votimi në ambasada dhe konsullata është mundësuar për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, ndërsa më parë votimi nga diaspora kryhej vetëm përmes postës.
Procesi po zhvillohet në 40 vendvotime të shpërndara në 16 ambasada dhe 13 konsullata në 18 shtete të ndryshme. Në mesin e tyre janë gjashtë vendvotime në Gjermani, tri në Zvicër, dy në SHBA, dy në Kanada, dy në Itali, dy në Francë, dhe nga një në Mbretërinë e Bashkuar, Belgjikë, Suedi, Austri, Norvegji, Slloveni, Danimarkë, Turqi, Kroaci, Holandë, Hungari dhe Çeki.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) doli e para në votat e diasporës, por 42% e tyre nuk mjaftuan që partia të qeveriste sërish e vetme. Pas muajve me Kuvend të bllokuar dhe dështimit të dy mandatarëve për kryeministër, u vendos që zgjedhjet e parakohshme të zhvillohen më 28 dhjetor.
Për të votuar në përfaqësitë diplomatike janë regjistruar 19.187 qytetarë, nga mbi dy milionë me të drejtë vote në vend. Duke përfshirë edhe votimin me postë, diaspora e regjistruar arrin pak mbi 77 mijë votues.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se për votim do të pranohen edhe dokumentet identifikuese të skaduara. Megjithatë, askush që ka votuar nga diaspora nuk mund të votojë fizikisht në Kosovë më 28 dhjetor, pasi emrat e tyre janë tërhequr nga listat votuese në vend.